
Ish-drejtori i Juves spekulon mbi një plan për largimin e shqiptarit nga klubi.
Moxhi: Xola në pankinë, Edi Reja bëhet drejtor Sportiv.
Luçiano Moxhi po e kalon pezullimin nga postet sportive si një komentator i futbollit italian. Në një analizë gjatë ditës së hënë, ish-drejtori Sportiv i Juventusit, i pezulluar për shkak të skandalit të Calciopoli-t, ka komentuar edhe çështjen e trajnerit Reja te Lacio, i cili në fillim deklaroi se dha dorëheqjen, por më pas u rikthye. Si një mik i trajnerit italian, Moxhi ka komentuar duke mbrojtur Edi Rejën, madje ka spekuluar për një largim të mundshëm të Igli Tares. “Unë mendoj se Lotito ka përdorur një nga dy mënyrat e mundshme për të bindur Rejën të qëndrojë. Që së shpejti të largojë Igli Taren nga klubi, ose që ta largojë në fund të sezonit dhe vendin e tij ta zërë Reja, ndërsa trajner të bëhet Xhanfranko Zola”, ka thënë Luçiano Moxhi. Në fakt, vetëm dy ditë më parë, ishte trajneri i Lacios që u shpreh se drejtori Sportiv i klubit, Tare, ka bërë një punë të shkëlqyer këtë sezon dhe se meritë në sukseset e ekipit kanë përforcimet cilësore të bëra prej tij. Mes të cilëve edhe Miroslav Klose, i cili i dha fitoren në ndeshjen e fundit kundër Fiorentinës. Për Moxhin, takimi i luajtur në “San Siro”, ditën e shtunë, u shkatërrua nga një arbitrim skandaloz, e sipas tij ajo ndeshje qe e falsifikuar. “Sfida qe intensive dhe spektakolare, por vendimet e Taliaventos, që u këshillua keq edhe nga Romanjoli, e falsifikuan atë. Ai arbitrim më kujtoi atë të Rakalbutos në sfidën Roma-Juve të vitit 2004-2005, ku Pisakreta i bëri gati të gjitha”. Sipas tij, me atë që Milani dha në fushë, nëse do quhej goli i dytë, bardhezinjtë vështirë të shënonin sërish. “Merita u shkon kuqezinjve, që edhe pse me rezerva, dominuan takimin, që nga ana e saj qe e jashtëzakonshme dhe nuk hoqi dorë, duke treguar atë karakter që është në ADN-në juventine”. Ish-drejtuesi i “Zonjës së Vjetër” foli edhe për golin e Muntarit. “Te Milani u ndje shumë mungesa e Meanit (drejtuesi i Milanit). Nëse do ishte ai, atëherë anësorit do t’i jepeshin udhëzimet e duhura që të mos ngrinte flamurin”. Moxhi ka qenë kritik edhe me drejtuesit verdhekuq. “Në Bergamo u pa një Romë për të ardhur keq. Është e disata herë që ata poshtërohen. S’e kuptoj se pse Baldini vazhdon të tallet me tifozët, e flet për objektiva si vendi i tretë. Ekipit i mungon një drejtues për të qenë dhe kjo u pa me mënyrën e të vepruarit në rastin e De Rosit, që u çua në tribunë pas sherrit me Kjaerin. Ky vendim penalizoi gjithë ekipin”. Sipas ish-drejtuesit juventin, drejtori aktual i Romës përpiqet të justifikojë zgjedhjen e Luis Enrikes si trajner, por dëmet nga menaxhimi që ai bën, janë të dukshme. Por nëse tifozëve verdhekuq kjo gjë u duket në rregull, atëherë…”
Tare: S’ia vlen ta komentoj
Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, nuk ka preferuar të komentojë një deklaratë spekulative të Luçiano Moxhit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai u shpreh: – “Nuk ia vlen të komentoj deklarata të tilla nga një person i tillë”, u shpreh shqiptari, duke lënë të nënkuptohet se nuk është aspak e vërtetë. Në fakt, media italiane ka folur gjithnjë për një marrëdhënie të mirë mes Tares dhe presidentit të klubit, Klaudio Lotito. Për më tepër, ky i fundit e cilësoi si mjaft të suksesshme merkaton e bërë, pavarësisht se në janar nuk u bënë përforcime të tjera të rëndësishme.
© Panorama.alDe Rosi
Mesfushori i Romës, Daniele de Rosi, hedh poshtë lajmet se ai ka pasur një konflikt me trajnerin Luis Enrike. Lojtari u përjashtua nga tekniku spanjoll, pas një sherri me mbrojtësin Kjaer dhe u dërgua në tribunë. “Sqaroj se unë nuk kam bërë sherr, dhe as nuk kam rrahur asnjë njeri. Vazhdoj të kem besim te Luis Enrike, ai punon dhe është njeri i drejtë. Unë gjithnjë kam folur me të në mënyrë pozitive dhe do vazhdoj ta bëj”, ka thënë dje De Rosi.Del Boske: Më vjen keq për Torres
Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, ka pranuar se i ka ardhur shumë keq që ka lënë Fernando Torresin jashtë miqësores me Venezuelën, por sipas tij ka qenë një zgjedhje e panegociueshme. Tekniku i Kampionëve të Botës nuk e grumbulloi sulmuesin e Çelsit, për shkak të formës së dobët që ka treguar në “Stamford Bridge”, por e ka lënë të hapur mundësinë që ta thërrasë në finalet e Europianit. “Torres është një lojtar që e vlerësoj shumë dhe më vjen keq që m’u desh ta lija jashtë. Por unë duhet të tregohesha i ndershëm. Paraqitjet e tij kanë qenë të luhatshme”, tha Del Boske.EURO 2012, gati 900 mijë policë
Sot hyjmë në 100 ditët e fundit përpara se të nisin finalet e Europianit në “Poloni dhe Ukrainë”, prandaj autoritetet po marrin masat e fundit për të garantuar sigurinë e ngjarjes më të rëndësishme të kontinentit. Sot, Pallati i Kulturës në Varshavë është i mbuluar ende nga dëbora, por më 8 qershor do të jetë vendi ku do të mblidhen të gjithë tifozët për të ndjekur nga monitorë gjigantë ndeshjet e përfaqësueseve të tyre. Sipas parashikimeve të organizatorëve, Polonia do të vizitohet nga 1 milionë tifozë dhe qeveria ka parashikuar të angazhojë rreth 9.000 policë për të siguruar mbarëvajtjen e turneut.











