Lotaria, një kompani tjetër i ankohet ministrisë

Jun 20, 2012 | 16:00

TIRANE- Zgjerohet edhe më shumë skandali i publikuar nga gazeta Panorama lidhur me tenderin për marrjen e licencës së Llotarisë Kombëtarë, shpallur nga ministria e financave.

Pas letrës së hapur të kompanisë greke INTRALOT  që gazeta Panorama publikoi dy ditë më parë, një tjetër letër ankesë është dërguar në adresë të ministrisë së Financave, kësaj herë nga kompania  INTELTEK.

Në letrën e nënshkruar nga shefi ekzekutiv i kompanisë, Ahmet Sezer, thuhet se “Po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tonë serioz në lidhje me modalitetet e konkursit për të dhënë licencën e Llotarisë Kombëtare, shpallur nga ministria Juaj.”

Sezer ngre shqetesimin se konkursi nuk inkurajon konkurrencë të hapur, të lirë dhe të plotë. Sipas tij, kërkesat për kualifikim janë tepër kufizuese nga sa ndodh zakonisht, dhe metoda e vlerësimit dhe çmimit janë fokusuar si elementë më pak të rëndësishëm, kur, shton ai, eshte procedura me e zakonshme ne vleresim ne koncesione ne te gjithe boten.

Më tej letra thekson se kompania shpreh besimin se ministria shqiptare e Financave do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar një kornizë të drejtë për të lejuar konkurrencën që INTELTEK të marë pjesë dhe të konkurojë hapur në marrjen e licencës për Llotarinë Kombëtare.

Inteltek është themeluar në vitin 2001 dhe është në pronësi nga Turktell, një filial i Turkcell, Intralot dhe Intralot Iberia Holding, me aksionet përkatëse të 55%, 20% dhe 25%. Është themeluar me qëllim të eksploruar dhe shfrytëzuar mundësitë në dispozicion të biznesit në sektorin e lojrave, Kompania është operatori i vetëm i lojrave dhe basteve sportive në Turqi.

© Panorama.al

Te lidhura