Lotaria Kombëtare, kompania e lënë jashtë, padi Bodes

Sep 11, 2012 | 11:37
Ministri i Financave, Bode

TIRANE – Pasi nuk ia doli me letrën e hapur dërguar Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, INTRALOT (Integrated Lottery System&Services), kompania greke e interesuar për tenderin e Lotarisë Kombëtare padit në gjykatë Ministrinë e Financave. Përmes një kërkesë-padie, kompania që hodhi dyshime për fitues të paracaktuar të licencës së Lotarisë Kombëtare i kërkon gjykatës ta detyrojë Ministrinë e Financave që t’i vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin zyrtar në lidhje me procedurat që janë ndjekur për përzgjedhjen e kritereve të vlerësimit për dhënien e licencës së Lotarisë. Njëkohësisht, INTRALOT kërkon dokumentacionin e procedurave të ndjekura për organizimin e tenderit. Padia në fjalë u regjistrua dje në Gjykatën e Tiranës. Në rolin e paditësit aty është shoqëria “INTRALOT-Integrated Lottery System&Services” S.A., ndërsa palë e paditur është Ministria e Financave. “Detyrimin e palës së paditur, Ministria e Financave, për të vënë në dispozicion të paditësit të gjithë dokumentacionin zyrtar në lidhje me procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e kritereve të vlerësimit për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare dhe për organizimin e procedurës tenderuese”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë. Në Gjykatë padia është regjistruar me numrin 16033 dhe, sipas burimeve zyrtare, toga e zezë e përzgjedhur për shqyrtimin e saj është gjyqtarja Manjola Bejleri. Kompania greke “INTRALOT” është një nga kompanitë që u interesua të futej në garën e licencës së Lotarisë Kombëtare. Që pas shpalljes së tenderit nga ana e Ministrisë më 21 maj, procesi i përzgjedhjes së kompanive konkurruese u vesh me një hije dyshimi për fitues të paracaktuar. Më 15 qershor, INTRALOT i dërgoi një letër të hapur Kryeministrit dhe ministrit të Financave, ku pretendonte se kriteret e vendosura nga ana e Ministrisë së Financave ishin përjashtuese dhe se procedura nuk sillte fitime. Kompania greke kërkonte ndryshimin e kritereve përzgjedhëse dhe të procedurave të tenderimit. Përfundimisht, INTRALOT nuk u fut në konkurrim më 20 qershor kur u zhvillua tenderi. Më 24 korrik, nga dy kompanitë që morën pjesë, “Austrian Lotteries” dhe “LTO Konsorcium”, Ministria e Financave shpalli fituese të parën. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura