
Konkurrimi vetëm me të dhëna teknike, jo me ofertë më të lartë financiare.
Zbardhen dokumentet e tenderit, qeveria pranon çdo ofertë.
Qeveria ka vendosur që licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare ta japë pa pasur si kriter parësor maksimizimin e të ardhurave. Ajo vetë, në kushtet e përcaktuara në një vendim të miratuar në fillim të këtij viti, nuk ka dhënë asnjë lloj dyshemeje nga ku duhet të fillojnë ofertat. Pra, ofertuesit nëse do të duan, mund ta nisin ankandin nga vlera 1 lek. Kjo mënyrë procedimi ka lënë vend për aludime se gjithçka është bërë qëllimisht dhe kompani të interesuara për të qenë pjesë e garës kanë shprehur rezerva. Gazeta një ditë më parë botoi letrën që CEO i kompanisë greke INTRALOT i ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku theksonte se mosvendosja e një çmimi nga ku duhet të fillojë ankandi nuk nxit konkurrencën. “Unë ju siguroj se nëse ministri juaj përfshin çmimin në kriteret e dhënies së licencës, ju do të surprizoheni me kënaqësi, me faktin se sa shumë kjo tarifë e propozuar do të kapërcejë shumën e fiksuar që ju po kërkoni tani”, theksonte Constantinos Antonopoulos. Në vendim ku përcaktohen kriteret e vlerësimit të garës, dokumenteve standarde dhe strukturës së komisionit të vlerësimit të aplikimeve për dhënien e licencës, është përcaktuar me detaj çdo e dhënë me përjashtim të vendosjes së një çmimi dysheme. Qeveria kërkon sipas kushteve një kompani që të ketë pasur një xhiro 500 milionë euro të vlerës së licencës në tri vitet e fundit si kusht financiar, kurse për sa u përket kushteve teknike, eksperienca e kompanisë duhet të shkojë deri në 15 vjet. Disponimi i certifikatave të nevojshme është gjithashtu një kriter që vendimi e përcakton si të një niveli të rëndësishëm. Vlerësimi i ofertave është një kombinim më vete, pasi 15 për qind do të vlejë struktura e aplikantit dhe gjendja financiare, 35 për qind të pikëve do të ketë peshë përputhja me politikat rregullatore, kurse plani i biznesit dhe parashikimet financiare kanë 25 për qind të vlerësimit total dhe po kaq ka edhe strategjia e zhvillimit të tregut. I vetmi përcaktim çmimi që bëhet në vendimin që qeveria ka miratuar për Lotarinë Kombëtare, është një vlerë 500 milionë lekë që kompania që shpallet fituese duhet ta depozitojë në bankë për llogari të buxhetit. “Aplikanti i përzgjedhur fitues në garën për marrjen e licencës për Lotarinë Kombëtare paguan, në njërën nga bankat e nivelit të dytë, shumën prej 500.000.000 (pesëqind milionë) lekë, jo më vonë se 14 ditë kalendarike nga marrja e licencës, por në çdo rast para dërgimit të licencës për miratim në Kuvend. Kjo shumë kalon në buxhetin e shtetit”, thuhet në vendim. Pra, edhe nëse qeveria në një moment të dytë këtij përcaktimi do t’i referohet si çmim dysheme, sërish kjo vlerë mbetet jashtëzakonisht e ulët për të qenë e tillë, kur në fakt një licencë 3G qeveria e shiti 31.4 milionë euro dhe çmimin minimal për pjesëmarrje në garë e kishte 12.5 milionë euro.
Ku do bazohet vlerësimi i ofertuesit
1. Struktura e aplikantit dhe gjendja financiare 15%
a) Përvoja e aplikantit (llojet dhe numrat e licencave dhe kohëzgjatja) dhe portofoli aktual i produktit:
b) gjendja financiare
c) Analizë e detajuar e strukturës së organizimit, kualifikimit dhe menaxhimit të të punësuarve
d) Struktura e pronësisë
e) Siguria e IT (WLA SCS:2006) shpjegimi
f) Auditimi i brendshëm dhe politika e mbrojtjes së të dhënave
g) Politikë e përgjegjshmërisë sociale të korporatës dhe modelit të drejtimit të saj2. Përputhja me politikat rregullatore 35%
3. Plani i biznesit dhe parashikimet financiare 25%
4. Strategjia e zhvillimit të tregut 25%
NERTILA MAHO
© Panorama.al











