Lorik Cana, supergol për Champions League

May 7, 2012 | 11:33
Lorik Cana pas golit

Lorik Cana ka shën-uar një gol me mjaft vlera në ndeshjen e djeshme të Lacios në Bergamo ndaj Atalantës. Me këtë fitore, çelestët kanë shanse për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve, kjo edhe për shkak të humbjes së Napolit.
Momentalisht, Lacio e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, kjo falë golave të Kozak dhe Lorik Canës në fitoren e vështirë ndaj Atalantës. Por, skuadra nga kryeqyteti italian kërkon majën e futbollit europian, Champions-in. Mesfushori shqiptar bëri një paraqitje shumë të mirë në këtë ndeshje, ku ishte protagonist, edhe pse luajti me kavilje të fryrë për shkak të një dëmtimi të marrë. Por, pavarësisht kësaj, shqiptari ishte aktiv gjatë 90 minutave. Madje, në fund shënoi një supergol që vulosi fitoren e bardhekaltërve në Bergamo. Për mediat italiane, Cana meritoi notën 7 me paraqitjen e bërë, ndërsa për pak rrezikoi të shkaktonte edhe një autogol. Tek Atalanta pati polemika, pasi ata protestuan për një penallti që nuk iu dha Denisit. Lacio shpreson ende për të fituar një vend në Ligën e Kampioneve. Por, ata duhet të fitojnë sfidën në shtëpi ndaj Interit dhe të shpresojnë që Katania ta mundë Udinezen. Ndërsa Cana beson se Lacio do të arrijë të zërë vendin e tretë në kampionat. “Ishte e vështirë që të gjeja hapësirë dhe të kombinoja, por në fund ia dola. Ishte një gol i rëndësishëm për fitoren. Ne jemi ende në garë për vendin e tretë”, tha lojtari shqiptar. Më tej, mesfushori foli për takimin e fundit ndaj Interit: “Duhet të luajmë për tifozët, fanellën dhe klubin deri në fund. Tani është radha e Interit, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të fitojmë”. Ndërkohë Udineze ka fituar pa probleme ndaj Xhenoas, 2-0, por këta të fundit kanë luajtur për gati 50 minuta me 9 lojtarë në fushë. Tifozët e kësaj skuadre kanë festuar dyfish, pasi nga Bolonja erdhi lajmi se kuqeblutë mundën Napolit. Të kaltrit e Valter Maxarrit duket se i mbyllën pretendimet e tyre për Ligën e Kampioneve, pas kësaj humbjeje. Bolonja, që e ka siguruar mbijetesën në kampionat, i mundi 2-0 napolitanët falë golave të Diamantit dhe Rubinit. Miqtë nuk shkojnë më shumë se sa traversat e goditura në 30-minutëshin e parë. Napoli tani është 3 pikë larg friulanëve dhe 1 pikë lacialëve. Maxarri kishte hedhur në fushë lojtarët më në formë, Pandevi dhe Kavani, ndërsa Laveci u la në stol. Ky i fundit u fut në fushë vetëm në pjesën e dytë, në vend të Maxhios në minutën e 55-të. Argjentinasi shkoi afër barazimit me një goditje dënimi, por në minutën e 64-t erdhi goditja fatale. Rubin u prish përfundimisht ëndrrat të kaltërve për Champions-in, duke mposhtur portierin De Sanktis.

Seria A
Të shtunën

Leçe-Fiorentina    0-1
Roma-Katania    2-2
Dje
Siena-Parma        0-2
Atalanta-Lacio    0-2
Bolonja-Napoli    2-0
Novara-Çezena    3-0
Palermo-Kievo    4-4
Udinese-Xhenoa    2-0
Kaljari-Juventus    0-2
Inter-AC Milan    4-2

Renditja
Nr. Ekipi        ND    P
1. Juventus         37     81
2. Milan         37     77
3. Udineze         37     61
4. Lacio         37     59
5. Napoli         37     58
6. Inter         37     58
7. Roma         37     53
8. Parma         37     53
9. Bolonja         37     51
10. Katania         37     48
11. Atalanta         37     46
12. Kievo         37     46
13. Fiorentina     37     45
14. Siena         37     44
15. Palermo         37     43
16. Kaljari        37     42
17. Xhenoa         37     39
18. Leçe         37     36
19. Novara         37     32
20. Çezena         37     22

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura