Lorik Cana, stërvitje marinsi te Lacio

Jul 11, 2012 | 15:27

Auronzo di Kadore është shndërruar prej disa ditësh në qendrën stërvitore të skuadrës së Lacios. Provinca e thellë në Veri të Italisë është një fshat i vogël, i cili në këto dy ditë është transformuar në një kamp përgatitor të rreptë ushtarak për mesfushorin shqiptar Lorik Cana dhe shokët e tij të Lacios. Të gjithë e pritën me eufori trajnerin, boshnjakun Vlado Petkoviç, por askush nuk e dinte deri pak ditë më parë që ai është një “gjeneral” i egër që detyron futbollistët e tij në një stërvitje të ngjashme me ato të marinsave. Arsyet e kësaj? Pyesni Lorik Canën. Mesfushori shqiptar dhe grupi tjetër i futbollistëve lacialë duhet të jetë në gatishmëri në orën 7:30 minuta të mëngjesit, të pajisur me orët elektronike dhe gati për të zbatuar urdhrat e para të stërvitjes. Ajo parashikon nisjen e menjëhershme të 30 minutave vrap në mal, buzë një liqeni përrallor, një stërvitje kjo për të zgjuar muskujt e rënë në qetësi pas pushimeve. Pajisjet që përdoren? Një aparaturë e lidhur në gjoks për të matur reagimin kardiovaskular, por edhe “GPS” (pajisje përgjimi) për secilin me anë të së cilave trajneri Petkoviç mat kohët dhe distancat e përshkruara nga çdo lojtar, të cilët janë të lirshëm të zgjedhin ritmin e tyre të të vrapuarit, por nuk ka asnjë shans që dikush t’i bëjë hile “gjeneralit” për të guxuar të frenojë vrapin.

© Panorama.al

Te lidhura