Lorik Cana, nga Kombëtarja te Lacio

Aug 10, 2011 | 14:20

Erdhi i fundit në konferencë, por qëndroi pak më gjatë se të tjerët. Sigurisht, këtë herë kishte një pamje më të çliruar dhe ishte i gatshëm që të përgjigjet për çdo gjë, jo si dy muaj më parë, kur e ardhmja e tij ishte fare e paqartë. Në konferencën për shtyp, Lorik Cana flet për gjithçka, duke filluar që nga miqësorja e sotme me Malin e Zi dhe më pas për sfidën speciale me Francën, si dhe transferimin e bujshëm te Lacio. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare nuk harron t’i përgjigjet edhe italianit Di Kanio për kritikat e disa ditëve më parë.
Luajmë kundër Malit të Zi dhe vijmë pas dy humbjeve. Si e parashikoni këtë ndeshje?
Duhet thënë se po përballemi me një skuadër me potencial të madh. Mali i Zi është një ekip i nivelit shumë të mirë, me lojtarë cilësorë dhe për momentin është më lartë se ne, duhet ta pranojmë. Nuk e them këtë sepse më tremb skuadra e tyre, por e them se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Përkundrazi duhet të luftojmë shumë dhe të japim gjithçka në fushë për t’i mundur. Unë dua ta fitojmë këtë ndeshje, sepse në fund të fundit ky është qëllimi ynë në çdo ndeshje.
A është kjo ndeshja e duhur për të testuar veten para sfidës me Francën?
Po, mendoj se po përballemi me një skuadër të fort dhe gjykoj se ky është një test dhe një përgatitje e mirë në kuadër të ndeshjes me Francën.
Sfida me “gjelat” do të jetë speciale për ju, pasi keni luajtur për 9 vite në Francë, apo jo?
Po, e vërtetë, ndeshja me Francën ka për të qenë shumë emocionuese. Nuk kam pse ta mohoj se jam lojtari shqiptar që njihem më shumë atje, por pikërisht për këtë gjë do të dëshiroja që t’u tregoja francezëve dhe Francës se çfarë potenciali ka kombëtarja ime dhe futbolli shqiptar. Do të jetë një sfidë e rëndësishme për mua, por edhe për Kombëtaren. Eliminatoret e Botërorit nuk kanë mbaruar akoma, ndaj ne kemi ende mundësi të bëjë gjëra të mira dhe për ta realizuar këtë duhet të nisim me Francën. Unë kam bindjen se mund t’ia dalim.
Të rikthehemi pak te skuadra e Lacios. Trajneri ka thënë se ju jeni një mesfushor i mirëfilltë dhe do të luani vetëm aty. A ka ndonjë efekt kjo në kombëtare, pasi aty luani si qendërmbrojtës?
Jo, nuk besoj se ka lidhje. Edhe në fillimet e mia në Kombëtare kam luajtur si qendërmbrojtës, ndërkohë që te ish-klubi im luaja si mesfushor. Unë kam pasur një bisedë me trajnerin Reja dhe ai më ka bërë të qartë se pozicioni im është në mesfushë, por nëse do të kishte nevojë në ndeshje të veçanta që unë të luaja në qendër të mbrojtjes, atëherë do të kishte mundësinë të më aktivizonte aty. Kjo ishte një alternativë më shumë për të dhe një mundësi më tepër për mua që të mund ët gjej sa më shumë hapësira.
Meqë po flasim për hapësirat te Lacio, së fundmi ka pasur shumë aludime për mundësitë tuaja për të luajtur…
Po, e di. Media në Itali përpiqet të nxjerrë diçka edhe atëherë kur nuk ka. Shikoni, unë nuk shqetësohem shumë për përllogaritjet apo hipotezat që bën shtypi për mua. Unë mund të them vetëm se jam i lumtur te Lacio, por punoj sistematikisht dhe jam i vetëdijshëm në potencialin tim. Lacio luan rreth 50 apo 55 ndeshje zyrtare në vit dhe unë do të doja që të luaja në të gjitha, por ja që nuk mundem, as unë dhe as ndonjë tjetër. Secili ka mundësitë e tija dhe secili e nis sezonin si i barabartë me të tjerët.

© Panorama.al

Te lidhura