Lorik Cana ende nuk është bindur për të firmosur me klubin e Lacios, por thotë se ka shumë gjasa që kjo gjë të ndodhë javët e ardhshme. Mesfushori i Kombëtares tregon edhe rolin që ka pasur Igli Tare në bisedimet me Lacion Në një intervistë për “Supersport-neës”, 27-vjeçari ka konfirmuar se do të mungojë në ndeshjen kundër Argjentinës. “Unë nuk mund të udhëtoj me Kombëtaren në Argjentinë, pasi më herët kam bërë plane për këtë periudhë. Së pari do të udhëtoj drejt Francës për t’iu nënshtruar një terapie intensive për të kaluar dëmtimin në gju. Por të mos harrojmë ndërkohë se jam edhe disi i paqartë për të ardhmen. Sa i përket Argjentinës, mund të them se është një rast i mirë për ekipin tonë, pasi do të kenë rast të luajnë edhe shumë të rinj në Kombëtaren e Shqipërisë”. Ndërsa lidhur me meraton dhe zërat që e çojnë te Lacio, Cana sqaron: “Ende nuk është vendosur. Mendoj se duhet edhe pak kohë, sepse bisedimet vazhdojnë. Momentalisht është Lacio në bisedime konkrete me klubin, por jo vetëm kjo skuadër. Media aludon prej kohësh, por tani më duhet të pohoj se ndër klubet që interesohen, Lacio në avantazh kundrejt ekipeve të tjera. Unë nuk i bëj zgjedhjet vetëm në aspektin financiar. Ajo që mund të them unë është se edhe kur isha në Angli te Sandërlendi merrja thuajse të njëjtën shumë parash si edhe te Gallatasarai. Zgjodha klubin turk, sepse kishte një projekt ambicioz dhe merrte pjesë në Kupa e Evropës. Për fat të keq gjërat nuk shkuan mirë këtë vit dhe tani jam në bisedime me klube të tjera”. Në fund Cana ka treguar edhe rolin e Igli Tares. “Unë mendoj se edhe në këtë pikë gjërat janë ekzagjeruar disi. Unë me Iglin kam pasur një bisedë konkrete dhe deri diku zyrtare vetëm para dhjetë ditësh. Ai më tha se nëse dëshiroja mund të niste bisedimet që unë të kaloj te Lacio, por ama vetëm kaq. Lacio është një klub i madh dhe aty kam mundësinë që të rikthehem në Evropë, ndaj mendoj se është e pashmangshme që të tregohesh edhe i gatshëm për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme”, ka pohuar Cana.











