Lopez: Fillim i ri pas një divorci “miqësor”

Aug 28, 2011 | 13:45

Një muaj pas divorcit të saj të tretë, kësaj here nga këngëtari Marc Anthony, J.Lo shfaqet në formë dhe gati për një xhirim të ri. Eviton prononcimet për divorcin, por deklaron se është i pakthyeshëm. Ndërsa është në pritje të një dashurie të re…

“Jam gjithë energji, sikur të nisja një fazë të re të karrierës. Ndihem e fortë si në ’97-n, kur filmi mbi këngëtaren meksikane Selena më bëri të njoh botën. Atëherë nuk kishte ende një J.Lo. Për të gjithë unë isha vetëm një aktore latine që kërkoja të bëhesha e njohur në Hollywood”. Kështu thotë Jennifer Lopez për revistën italiane “A”, vetëm një muaj pas divorcit të saj të tretë. Tashmë është 42 vjeç, aktorja më e pasur latine dhe, sipas “People”, gruaja më e bukur në botë. “Në dashuri jam një optimiste”, thotë ajo dhe kur e pyet se “cili është roli më i vështirë”, pa u menduar të thotë: “të bësh nënën, që është edhe roli më i bukur në botë”. E sigurisht, duke parë martesat e dështuara, nuk është “të bësh rolin e gruas”. Kjo sepse Jennifer ende pret të vijë dashuria e vërtetë. Dashuri të cilën duket se do ta “presë” në Los Angeles, ku do të vendoset bashkë me fëmijët e saj Max dhe Emme, larg vilës në Long Island, ku jetoi me Marc Anthony. Tanimë ajo është në prag të xhirimeve të filmit më të ri, ku interpreton rolin e një agjenteje imobiliare. Titullohet “Parker”, një triller nën drejtimin e Taylor Hackford dhe do të xhirohet mes Los Angelesit, Palm Beachit e New Orleansit. Bashkë me Lopez interpreton dhe Jason Statham në rolin e një krimineli “ekstremist profesionist”. Ndërkaq, aktorja dhe këngëtarja nuk preferon të flasë për ndarjen nga Anthony dhe as për thashethemet për një tradhti të mundshme të Jennit me aktorin kuban William Levy, me të cilin xhiroi videoklipin e këngës “I am into you”. Sipas saj ka qenë një ndarje “miqësore”. Ajo shprehet e gatshme për t’ia nisur nga e para dhe konfirmon për mediat ndarjen e pakthyeshme nga i shoqi. Gjithashtu pranon se do të marrë pjesë sërish në sezonin e ardhshëm të talent show-t American Idol, i cili sipas miqve dhe armiqve të saj, u bë edhe fillimi i fundit të çiftit “Lopez-Anthony”. “Dua të bëj kaq shumë gjëra… Jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Dëshiroj ta bëj publikun të qeshë, të emocionohet, të interpretojë skenarë të mirë aksioni e me aventura. Shpresoj të më thërrasin për një rol të vërtetë dramatik. Sigurisht që do t’u dedikohem edhe albumeve muzikore e këngëve të reja”, është shprehur ajo.

© Panorama.al

Te lidhura