Londra në flakë

Aug 8, 2011 | 10:19

Dhjetëra familje kanë mbetur të pastrehë pas një nate trazirash në rrugët e Totenhemit, Londër. Ndërtesave iu vu flaka dhe dyqane të shumta u plaçkitën, pasi një protestë paqësore u kthye e dhunshme. Protesta nisi për vrasjen e Mark Dugan, 29 vjeç, i cili u qëllua nga policia në Ferri Lein, Totenhem, gjatë një operacioni ku policët u përpoqën ta arrestonin atë, më 4 gusht. Gjatë këtij operacioni ka pasur shkëmbim zjarri, ku një oficer ka mbetur i plagosur, ndërsa Dugan u vra. Komisioni i Pavarur për Ankesa për Policinë (IPCC) njoftoi se beson që dy të shtënat u qëlluan nga policia. Po ashtu, konfirmon gjetjen e një arme ilegale zjarri. IPCC ofroi mbështetje për 14 anëtarët e familjes së Dugan. Të shtunën, rreth 300 njerëz u mblodhën jashtë stacionit të Policisë së Totenhemit për të protestuar mbi vrasjen e Dugan. Dhuna fillon pasi u hodhën shishe drejt dy makinave të policisë që patrullonin në afërsi të stacionit të policisë. Më pas i është vënë flaka 49 objekteve dhe protesta ka vazhduar e dhunshme. Një autobus dykatësh u dogj tërësisht bashkë me makina të tjera dhe u është vënë flaka edhe ndërtesave të mëdha. 26 policë u plagosën gjatë përleshjeve dhe 42 persona u arrestuan.

© Panorama.al

Te lidhura