Londër, grabitësit, jashtë programeve të ndihmës

Aug 13, 2011 | 12:24

Ata që kanë marrë pjesë në grabitjet e dhunshme dhe zjarrvëniet në Londër dhe qytetet e tjera angleze, e tashmë janë identifikuar nga kamerat e sigurisë, do të përjashtohen nga paketat e ndihmës sociale që ofron Britania për të papunët dhe të varfrit. Kjo ishte masa e parë që u miratua dje në Parlamentin britanik, kur zyrtarët po diskutonin masat që duhej të merrnin kundër anëtarëve të bandave që shkaktuan zjarre masive në ndërtesa banimi e biznese për katër ditë me radhë, si dhe vdekjen e katër personave. Madje, prindi i një prej grabitësve të filmuar do të nxirret jashtë nga shtëpia që i kishte ofruar Këshilli Bashkiak për strehim. Në faqen zyrtare të Parlamentit ishte hapur online mbështetja e një peticioni, që kërkonte opinione mbi masat ndëshkuese që kishte përgatitur qeveria. Këtij peticioni iu përgjigjën kaq shumë njerëz që kërkonin miratimin e masave ndëshkuese, saqë faqja online u bllokua. Parlamenti britanik tashmë po përgatit një skemë të re kundër anëtarëve të bandave, ku përfshihet eliminimi i përfitimit nga masat e ndihmës sociale për ta dhe familjet e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura