Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012, zhvilloi nje takim me ekipin olimpik shqiptar, stafin e trajnerëve dhe atë organizativ që e shoqëron, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër.
Kryeministria njofton se ne pritje ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve Aldo Bumci dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë.
Gjate takimit, Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë.
“Suksesi i juaj i parë – u shpreh Kryeministri – është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj.”
Një përshëndetje të veçantë, Kryeministri Berisha i drejtoi sportistet Majlinda Kelmendi, e cila garon në disiplinën e xhudos, për prezencën e saj në ekipin olimpik.
Presidentja Jahjaga uroi gjithashtu sportistët olimpike për suksese në këto Lojëra. Të gjithë, tha Presidentja Jahjaga, kemi sot, ndjenjën e sportit dhe shpirtin e sportistit, duke theksuar se edhe prezenca në Londër ishte një përkrahje e fuqishme për ekipin tonë.
© Panorama.al











