“Londër 2012”, Shala braktis garën

Aug 2, 2012 | 13:57

Klodiana Shala nuk do të garojë në “Londër 2012”. Edhe pse është pjesë e skuadrës sonë olimpike, ajo nuk do të garojë fare, pasi sipas mjekut, është e dëmtuar. Shala do të garonte më 6 gusht në garën e 200 metrave, por çuditërisht rezulton e dëmtuar që para se të shkonte në Olimpiadë. “Më 23 gusht ajo ndjeu dhimbje gjatë stërvitjes dhe u mendua për tërheqje, të cilën e ka pasur që më përpara dhe e ka shqetësuar gjithmonë. Bëmë një vizitë me një nga mjekët më të mirë të klinikës olimpike dhe u konstatua që dhimbja ishte e nervit të muskulit prapa kofshës me prekje të tij afër kolonës. Kështu që iu nënshtrua seancave të fizioterapisë dhe akupunkturës, duke iu rekomanduar edhe një skaner me injeksion direkt në vendin e dëmtuar. Por, edhe pse iu bënë të gjitha këto, ajo sërish u ndje keq, madje një ditë më vonë pati një temperaturë 40 gradë, që deri dje i vazhdon dhe vetëm sot iu  normalizua disi. Për këto arsye, edhe në konsultim me mjekët, u sugjerua që të mos merrte pjesë në garë, pasi gjatë saj mund t’i ndodhë e njëjta gjë dhe mund të jetë edhe dramatike. Kështu që atletja,  trajneri i saj dhe unë vendosëm që mos të marrë pjesë në garë”, konfirmon mjeku Mel Ostreni. Kështu, “Londër 2012” mund të konsiderohet pa frikë si një dështim i madh i olimpizmit shqiptar, paçka se drejtuesit e KOKSH-it e proklamuan si një arritje të madhe. Madje prej tyre u pretenduan edhe medalje, por as Majlinda Kelmendi në xhudo, as Romela Begaj në peshëngritje nuk bënë thuajse asgjë. Dështim total edhe te meshkujt në peshëngritje, madje edhe me një skandal që në ditën e parë, kur Hysen Pulaku rezultoi me doping. Ndërsa në not, Noel Borshi dhe Sidni Hoxha veçse thyen rekorde kombëtare, por duke u renditur në vendet e fundit në Olimpiadë.

Përjashtohen 8 lojtarë për trukime
Kanë marrë fund Lojërat Olimpike “Londër 2012” për tetë sportiste të badmintonit. Dy kineze, dy indoneziane dhe katër nga Koreja e Jugut tentuan të humbnin ndeshjet në lojën dyshe për të shmangur kundërshtare të forta në fazën me eliminim direkt. Veprimet e sportisteve ranë në sy edhe të zyrtarëve të lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Pjesë e aktrimit në fushë, çka shkaktoi edhe irritim për publikun, ishin edhe dy kampionet e botës, Uang Xiaoli dhe Ju Jang (kineze).

© Panorama.al

Te lidhura