Lola, bashkëshortja e arkitektit Miço Pepa: Si u detyruam të divorcoheshim me letra për 12 vjet

Feb 12, 2012 | 12:59
Lola Pepa në ambientet e shtëpisë. Foto: Vlasov Sulaj

Bashkëshortja e arkitektit të njohur, Miço Pepa, rrëfen historinë e jetës së saj. Si u “kryqëzua” i shoqi nga regjimi komunist i kohës dhe pasojat direkte që prekën gjithë familjen, përfshirë edhe dy fëmijët.

Ai ishte student i shkëlqyer shqiptar në degën e Arkitekturës në Hungari. Një e drejtë studimi e çoi drejt e në auditorët e huaja të botës. Por, një kërkesë direkte e kryeministrit të pushtetit komunist, Mehmet Shehu, për t’u kthyer në atdhe, e detyroi Miço Pepën të ndërpriste studimet në ditët e fundit përpara mbrojtjes së disertacionit, për të nisur herët karrierën si arkitekt i shkolluar në Perëndim. E shoqja e tij, sot 73-vjeçare, Lola Pepa, pohon se shpesh ngjan se dora e tij është e shtrirë nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Për bashkautorin e projektimit të hotel “Tirana”, sot i njohur si 15-katëshi, puna në sistemin komunist nuk ka qenë aspak e lehtë. Akuzat për prirje moderniste në projektimet e tij individuale, konflikti i hapur në zyrën e Manush Myftiut për Institutin e Shkodrës, e mandej akuzat për agjitacion e propagandë, fill pas burgosjes së vëllait të Miços me shtatë vite heqje lirie në Spaç të Burrelit, ishin fillimi i rokadës së tij profesionale dhe familjare.
Problematikat ishin akute, po aq sa edhe vitet e vështira të punës së Miços, të kaluara në Lezhë dhe Gjirokastër. Jo më pak e shënjestruar në punën e saj ishte edhe Lola, mjekja e përgjithshme me mbi 40 vite karrierë pune në Tiranë, e cila mori mbi supe peshën e përgjegjësive pas degdisjes së të shoqit! Ajo rrëfehet për suplementin “Unë Gruaja”…

Bashkëshorti juaj, Miço, ishte i njohur si brezi i parë i arkitektëve shqiptarë të shkolluar jashtë vendit. Por, ai u detyrua të kthehej në Tiranë vetëm disa ditë përpara mbrojtjes së diplomës. Pse kjo ndërprerje e beftë e studimeve?
Im shoq ishte student i shkëlqyer në Politeknikum për degën e Ndërtimit dhe në vitet ‘50 ai fitoi një të drejtë studimi për Arkitekturë në Hungari. Ishte një e drejtë studimi, të cilën ia dha shteti shqiptar, sigurisht për meritat e tij personale si nxënës i dalluar. Studioi për gjashtë vite me radhë e në vitin 1956, shkon në Hungari për një vizitë shtetërore Mehmet Shehu. Miçoja asokohe mbante detyrën e sekretarit të Partisë Komuniste për gjithë studentët shqiptarë atje në Hungari. Zakonisht, kur vinte delegacioni shqiptar, apo zyrtarë të lartë shtetërore, organizohej një ceremoni pritjeje dhe gjatë bisedës mes tij dhe Mehmetit, në ato vite në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, ky i fundit i kërkon Miços që të kthehet në Shqipëri me shpjegimin se vendi ka nevojë për arkitektë të kualifikuar dhe të zotë. Ishte më tepër një formë ultimatumi, por e shprehur me nota të zbukuruara dhe natyrisht që ai nuk mund ta bënte dysh fjalën e partisë. U detyrua të kthehej, ende pa mbrojtur diplomën.
Si do të ishte për të kthimi në vendlindje dhe puna në terren si arkitekt?

Lola Pepa në ditën e diplomimit, Miço Pepa në zyrën e punës në Institutin e Projektimeve

Rikthimi ishte tepër i vështirë, sepse në ato vite nuk punohej si në “mëndafsh”. Çdo ditë ishte si të punoje në “gojë të ujkut”. Fillimisht, ai nisi punë në Institutin e Projektimeve si arkitekt profesionist. Ka projektuar shumë objekte të rëndësishme, aq sa në atë kohë thoshin që dora e tij ishte e shtrirë nga Shkodra në Sarandë. Një nga punët e tij më të rëndësishme ka qenë bashkëprojektimi i 15-katëshit në qendër të Tiranës, ose i njohur si hotel “Tirana”. Miço ka realizuar projektin e vendvarrimit të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Krujë, hotel “Fier”, Bibliotekën Qendrore në Shkodër, Komitetin e Partisë në Pukë, maternitetin Zerqan në Peshkopi, spitalin infektiv në Sarandë, e shumë godina banimi dhe objekte shtetërore të pozicionuara nëpër të gjithë Shqipërinë. Ishte vërtet shumë njeri i zoti dhe një arkitekt me zë, i vlerësuar për profesionalizmin e tij.
Por shpejt ai do të binte ndesh me mendësitë e pushtetit komunist. Kur nisën konfliktet e para?
Një nga problemet dhe konfliktet më serioze që ka pasur, ishte ai mbi projektin për Institutin e Shkodrës, sot është Universiteti i Shkodrës. Gjatë një bisede në zyrën e Manush Myftiut, në ato vite në postin e ministrit të Arsimit dhe Kulturës së Shqipërisë, Miço pati mosmarrëveshje dhe konflikte për çështje buxheti financiar me të. Situata u rëndua shumë, aq sa ky i fundit e kërcënoi se do t’i vendoste prangat në vend, nëse edhe njëherë guxonte të kundërshtonte vendimet e shtetit kundrejt çdo projekti arkitekturor që lëvrohej në vend. Mbaj mend që im shoq atëherë erdhi i shqetësuar në shtëpi, dhe duke më rrëfyer kontradiktën që kishte pasur, bëhej fjalë për çështjen e fondit financiar që nevojitej për të përmbushur këtë objekt deri në finalizimin e tij. Dhe në përplasjet e ideve dhe të shifrave mes të dyve, Miçoja ia kishte kthyer se nuk ia vendoste dot prangat, sepse specialisti i atij projekti ishte ai dhe se ishte i gatshëm që çdo përgjegjësi ta mbante mbi supe. Megjithëse ishte i bindur që nuk kishte përkrahjen e të ashtuquajturve “arkitektët e oborrit”, siç ishte për shembull Sokrat Mosko, im shoq i mëshoi punës dhe profesionalizmit të vet, pa kërkuar përfshirjen në çështje politike. Ishte natyrë modeste, e kurrë nuk mburrej për punët dhe realizimet e tij të arrira.
Miço gjithashtu është akuzuar edhe për prirje moderniste në projektet e tij arkitekturore, apo jo?
Kontradikta e hapur me Manush Myftiun në thelb, me gjithë aureolën e pushtetit komunist, kaloi jo pa vëmendje. Shumë herë të tjera, në Institutin e Projektimeve ai u shënjestrua për projektime më tepër se moderniste dhe jo lehtësisht të përqafuara nga sistemi komunist, e kjo prirje binte ndesh me shumë nga mendësitë e ngulitura të kohës. Ideologjia komuniste e tronditi jo pak punën dhe veprën e tij, shumë projekte u rrëzuan e të tjera u kritikuan ashpër.
Por ajo që do i vendoste “vulën” së ardhmes profesionale të arkitektit, ishte burgosja e të vëllait në Burgun e Spaçit dhe akuzat direkte ndaj Miços për agjitacion e propagandë…
Ka qenë një periudhë tepër delikate kjo për gjithë familjen tonë. Ndodhia me kunatin tim, të vëllain e Miços, na fundosi të gjithëve. Bëhet fjalë për vitin 1976, ku gjatë një darke të shtruar, kunati im ishte shprehur për Jugosllavinë dhe se Tito ishte udhëheqësi më i mirë i Ballkanit. Vetëm këto fjalë i kishin mjaftuar spiunëve përqark që menjëherë të përhapnin lajmin. Sigurisht, që të flisje kësisoj në ato vite ishte guxim i madh, dhe këto fjalë kishin cenuar direkt vijën e Partisë Komuniste. Akuza që u ngrit ishte me motivacionin për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, dhe masa e dënimit ishte shtatë vite heqje lirie në Burgun e Spaçit. Periudha kur u dha masa e dënimit përkoi edhe me fazën e burgimeve të famshme në masë, që kryheshin me idenë që çdo pësim të kthehej në mësim për brezat e ardhshëm. Dënimi i të vëllait e rëndoi edhe më shumë situatën, sepse Miço pati menjëherë probleme të mëdha.
Si u shfaqën këto probleme në punën e arkitektit?
Menjëherë pas dhënies së dënimit të të vëllait, ditën e nesërme, në zyrën e punës së Miços vjen një letër ku i kërkohej menjëherë largimi nga puna në Institutin e Projektimeve dhe ripozicionimi profesional në rrethet e Shqipërisë, fillimisht në Lezhë e mandej në Gjirokastër. Im shoq punoi për 12 vite në disa rrethe të vendit, punë që besoj se nuk e dëmtuan profesionalizmin e tij, përkundrazi i dhanë një shtysë më të fortë për të punuar me përkushtim. Në Gjirokastër, ku punoi për disa vite, realizoi për shembull Muzeun e Armëve, njëherësh punoi edhe për disa projekte të tjera ambicioze. Miço vinte shumë rrallë në Tiranë, në familje dhe këtë e bënte jo pa qëllim. Për të më ruajtur mua dhe dy fëmijët nga pasojat e regjimit. E gjithë pesha e përgjegjësive sigurisht që ra mbi mua si grua dhe kryefamiljare.
Pse thoni kryefamiljare?
Sepse, pas zhvendosjes së Miços për 12 vjet në rrethet e Shqipërisë, unë u detyrova që të bëja divorcin, kjo për hir të fëmijëve, të cilët e kishin të pamundur të fitonin një të drejtë studimi si të gjithë fëmijët e tjerë të zakonshëm të kryeqytetit. U detyrova të bëja divorcin, që jeta ime dhe fëmijëve të mi të mos merrte rrokopujën. Vajzës i doli e drejta e studimit, sigurisht jo në profilin që ajo dëshironte, Mjekësi, por në Ekonomik. Ndërsa për djalin gjeta një tjetër varkë shpëtimi. Vendosa që tim bir ta birësonte ime motër, në mënyrë që ai të mos figuronte si pjesë e familjes Pepa. Të gjitha këto sakrifica ishin të vështira. Shpesh më duhej t’u përgjigjesha pyetjeve të shpeshta të fëmijëve kundrejt mungesës së të atit në shtëpi, se pse ai nuk ishte i pranishëm në ditët e zakonshme dhe në ato të veçanta, siç ishin festat apo ditëlindjet.
Si e pritën fëmijët tuaj çështjen e divorcit? Ç’ndodhi më pas?
Bëhet fjalë për një divorc fiktiv, sepse për situatën që po përjetonim familjarisht dhe mbi të gjitha për hir të shkollimit të fëmijëve, unë u ndjeva e detyruar që të bëja divorcin nga Miço. 12 vite të kaluara nëpër rrethet e Shqipërisë dhe larg familjes ishin vite të vështira. Megjithatë, në vitet 86’-87’, gjërat nisën të zbuten disi dhe problematikat, gjithashtu. Tim shoq e rikthyen në Institutin e Projektimeve dhe puna nisi normalisht. Për fëmijët, që tanimë ishin të rritur, rikthimi në familje i babait të tyre ishte në fillim me shumë pikëpyetje dhe habi, por që ata asnjëherë nuk e braktisën të atin, sepse ai ishte gjaku i tyre.
Po në punën tënde si mjeke e përgjithshme në Poliklinikën Nr.4, a e ndjeve peshën e kritikave?
Absolutisht po! Vetëm disa ditë pasi tim shoq e dërguan në Lezhë, shefja e kuadrit në Poliklinikën ku punoja shkon për të marrë dokumentet e mia të punës dhe për të m’i dërguar në Lezhë. Por, falë zotit u rimendua si ide dhe mua nuk më lëvizën. Pas ndodhive të Miços, filluan sigurisht peripecitë edhe me mua.
Një ditë rastësisht kishin ardhur në shtëpi dy spiunë për të pyetur për të gjitha gjërat familjare, për problematikat që mund të kishim, për fëmijët dhe shkollimin e tyre, për vizitat që mund të bënte im shoq në shtëpi, për gjithçka. Por, unë isha në punë dhe në ato momente në shtëpi gjendej ime më, e cila nuk i kishte treguar asgjë. Punoja si mjeke e përgjithshme në Ambulancën Nr.4 dhe pas punës shkoja e jepja mësim në Politeknikum. Shpesh dëgjoja të thoshin për mua se isha një grua autoritare, që nuk shprehesha shumë për problemet e mia familjare, pa tentuar që të minoja situatën dhe gjendjen familjare. Dhe kjo ishte natyra ime, sepse nuk doja që shqetësimet e mia personale t’i ndaja me individë përtej pragut të shtëpisë.
Zonja Lola, a e kishit menduar ndonjëherë jetën tuaj me kësisoj peripecish?
Jeta më ka lodhur pa masë dhe kurrë nuk e prisja që fati im të ishte kështu. Kam vuajtur shumë, me dy fëmijë të vegjël, e vetme në mes të Tiranës. Me bashkëshortin që e shihja gjithnjë e më rrallë për 12 vite rresht dhe me një barrë përgjegjësish mbi supe. Jeta ime, gjithashtu edhe e Miços së ndjerë (im shoq ndërroi jetë para disa vitesh nga një sëmundje e rëndë), i cili punoi me përkushtim të madh profesional, aq sa duart e tij sot janë të shtrira në gjithë Shqipërinë, nuk ishte assesi siç mund ta kishim imagjinuar, aq më pak, merituar.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura