Lojtarët kundër klubit: Ju, fajtorë të dështimit!

Jul 18, 2011 | 11:02
Lojtarët e Flamurtarit gjatë një ndeshjeje

Pas ultimatumit të dhënë nga shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, ka ardhur edhe reagimi i futbollistëve.Këta të fundit nuk kanë qenë aspak dakord me Çipin, i cili pat kërcënuar duke thënë se të gjithë duhet të mendoheshin mirë për të ardhmen e tyre në rast skualifikimi nga Liga e Europës.
Flamurtari humbi takimin e parë në Vlorë 2-0 me çekët e Jablonecit dhe shefi i klubit kërkon medoemos përmbysjen, në të kundërt reklamon spastrime nga organika aktuale. Çipi pati thënë se ishin pikërisht lojtarët përgjegjësit kryesorë të humbjes së skuadrës ndaj çekëve. Por këta të fundit nuk e kanë pranuar këtë lloj presioni, sepse, sipas tyre, një pjesë e fajit të këtij të dështimi i përket edhe krerëve të klubit kuqezi. Disa nga titullarët e ekipit, të cilët kanë preferuar që të mos identifikohen, i kanë lidhur këto rezultate negative me mungesën e një merkatoje cilësore para nisjes së ndeshjeve të Ligës së Europës. Ndërsa sa i përket akuzave të tjera të ngritura ndaj tyre, futbollistët vlonjatë i kanë quajtur thashetheme provinciale nga njerëz që nuk e duan Flamurtarin të ecë përpara. “Gjatë këtyre ndeshjeve ne jemi përpjekur të japim gjithmonë maksimumin, pasi ky është profesioni me të cilin ushqehemi. Që kur pranuam në fillim të bëheshim pjesë e kësaj skuadre, morëm parasysh çdolloj vështirësie, por nuk mund të pranojmë presione për gabimet që bëjnë të tjetër. Në këtë rast e kemi fjalën për drejtuesit e klubit, të cilët që në fillim nuk janë treguar shumë të interesuar për këtë kompeticion. Kjo u pa qartë te përtesa ose një mungesë e dëshirës nga ana e drejtuesve të klubit për kryerjen e një merkatoje cilësore, e cila do të mundësonte afrimin e dy-tre lojtarëve cilësorë. Në këtë mënyrë, edhe skuadra do të kishte shpresa për t’u kualifikuar në turin e dytë. Prandaj, ne nuk jemi aspak dakord me krerët e klubit, të cilët kërkojnë me çdo kusht kualifikimin, kur vetë ata e dinë shumë mirë se sa është potenciali i ekipit”, – kanë pohuar futbollistët e Flamurtarit. Më tej, lojtarët kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat për shitje ndeshjesh dhe presionin e një kualifikimi të domosdoshëm jashtë mundësive të tyre. “Ne nuk jemi magjistarë për të realizuar disa dëshira të pamundura, por futbollistë që përpiqen të përfaqësojë sa më denjësisht emrin e Flamurtarit, qytetit të Vlorës dhe natyrisht të kënaqim tifozët vlonjatë me aq mundësi sa kemi. Për sa i përket akuzave të tjera për shitjen e ndeshjes, ato janë veçse trillime të drejtuesve dhe të disa tifozëve që rrinë pas tyre, të cilët e ngatërrojnë fushën e futbollit me livadhet e kopeve të tyre. Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi asnjëherë pjesë e këtyre pazareve të fëlliqura”, – do të shpreheshin disa nga titullarët e skuadrës së Flamurtarit.

150 mijë euro premio për kualifikimin

Para ndeshjes së parë me Buduçnostin, disa nga biznesmenët vlonjatë kishin premtuar një premio që shkonte deri në 150 mijë euro, në rast se Flamurtari do të kualifikohej. Por, ndryshe nga herët e tjera, kur premioja digjej në rast se skuadra nuk do humbiste, kësaj radhe është menduar që kjo premio të mbahet. Gjithsesi, krerët e klubit kanë menduar gjoja t’i japin edhe një tjetër shans skuadrës, duke e vënë sërish në dispozicion shumën prej 150 mijë eurosh në rast se Flamurtari do të arrijë të përmbysë rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë në Vlorë.

© Panorama.al

Te lidhura