Tiranë, adoleshentët e gjetën kapsollën në koshin e plehrave në Kombinat.
Tre adoleshentë u plagosën rëndë mesditën e djeshme në Tiranë kur po luanin me një detonator granate, që besohet se e kanë gjetur në koshin e mbeturinave pranë zonës së tyre të banimit. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:30, në rrugën “Hamdi Cenoymeri”, në Kombinat, vetëm pak metra larg banesave ku jetojnë familjet e tre të miturve. Duke pandehur se profili metalik që ishte hedhur pranë koshit të plehrave ishte një “lodër”, fëmijët kanë nisur ta godasin me gurë dhe sende të tjera të forta. Nga forca e ushtruar mbi të, kapsolla ka plasur duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që është ndier thuajse në të gjithë zonën e Kombinatit. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se të plagosurit janë dy djem xhaxhallarësh: Arben Xhepa, 13 vjeç e Fatjon Xhepa, 14 vjeç, si dhe shoku e fqinji i tyre, Ardi Merja, 14 vjeç. Kanë qenë banorët e zonës ku ndodhi shpërthimi ata që lajmëruan Policinë, megjithëse një patrullë e Komisariatit Nr.6, që ndodhet vetëm disa metra larg zonës së shpërthimit, ishte nisur menjëherë sapo kishte dëgjuar zhurmën. Tre fëmijët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, pasi ishin të gjakosur thuajse në të gjithë trupin, por plagët kryesore mësohet se i kanë në fytyrë. Njëri nga fëmijët, 14-vjeçari Merja, është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin francez në QSUT, pasi sipas mjekëve ka pasur dëmtime të shumta në fytyrë. Ndërsa dy kushërinjtë Xhepa janë mjekuar në Spitalin Ushtarak. Burimet thanë se 13-vjeçari Arben Xhepa, pas mjekimit është larguar drejt banesës së tij, pasi gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitej shumë e rëndë. Ndërsa kushëriri i tij 14 vjeç, Fatjoni, deri në orët e pasdites i është nënshtruar një operacioni të komplikuar në Spitalin Ushtarak, për shkak se ciflat e detonatorit i kanë dëmtuar sytë. Familjarët e të miturve, të tronditur nga ngjarja e rëndë, nuk dhanë asnjë shpjegim për rrethanat e ngjarjes. Ndërsa nga ana e Policisë mësohet se kanë nisur hetimet për të zbuluar se si ka përfunduar një detonator granate në zonën të populluar. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar mbetjet metalike, që dyshohet se i përkasin kapsollës së një granate. Banorët e zonës së Kombinatit, konkretisht ata që jetojnë përgjatë rrugës “Hamdi Cenoymeri”, treguan dje se në vendin ku ndodhi ngjarja luajnë çdo ditë fëmijët e tyre, pasi aty është një lulishte e madhe. Ndërsa treguan se shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe përveç zhurmës, u ka ngjasuar me lëkundje sizmike.
ETLEVA DELIA











