Listë e zezë me kompanitë që abuzojnë me prokurimet

Jul 20, 2012 | 13:47
Autoriteti i Konkurrencës

Kompanitë që kapen me abuzim gjatë procesit të tenderimit do të bëhen pjesë e një liste të zezë. Kjo do të bëjë të mundur identifikimin e tyre në çdo moment dhe sigurisht që do të ndikojë në limitimin e pjesëmarrjes së tyre në procedura tenderimi. “Lista e zezë” është një propozim i Autoritetit të Konkurrencës, i bërë për projektligjin e ri “Për prokurimet publike” mbi të cilin po punohet nga APP. Diskutimet lidhur me nismat që duhet të ndërmerren për të rritur konkurrencën dhe transparencën e garës mes operatorëve kanë rikthyer në vëmendje edhe një herë këshillën e Konkurrencës për masa shtesë. Një ndër këto masa të propozuara përfshin nënshkrim e një deklarate paraprake nga operatorët që nuk do të bëhen pjesë e marrëveshjeve të ndaluara. Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes Komisionit të Konkurrencës dhe drejtueses së Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cankja, është vënë theksi në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve. Një bashkëpunim i tillë po vërehet tashmë edhe me sugjerimet që Konkurrenca ka dhënë për ndryshimet ligjore. Ky i fundit, përveçse me sugjerime që lidhen me projektligjin, më herët ka publikuar botime të tij që evidentojnë mënyrat se si abuzohet nga operatorët në prokurimet publike. Këto botime kanë ardhur si një ndihmë shtesë për specialistët e komisioneve të vlerësimit të ofertave apo edhe për specialistët e APP-së, në mënyrë që të dallojnë rastet abuzive nga ato konkurruese gjatë një procesi tenderimi. Në takimin e djeshëm, të dyja palët u shprehën të hapura për të luftuar marrëveshjet që rrisin artificialisht çmimet e tenderëve. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, këto marrëveshje mes operatorëve shfaqen në format e nënkontraktimit me konkurrentët në prokurime, ofertës së mbuluar dhe rrotacionit të fituesit. Të gjitha këto praktika cilësohen si marrëveshje të ndaluara, të cilat bien ndesh me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Komisioni i Konkurrencës dhe përfaqësues të APP-së kanë rënë dakord dje se është e nevojshme që ndryshimet në funksion të rritjes së konkurrencës në sektorin e prokurimeve publike duhet të bëhen në mendimin që po i bëhet ligjit aktualisht. Gjatë takimit të djeshëm është rënë dakord se rritja e konkurrencës mes operatorëve do t’i shërbejë përdorimit më me eficiencë e fondeve publike. Në jo pak raste marrëveshjet e ndaluara mes operatorëve kanë rritur çmimin e shërbimit apo produkteve të kërkuara në kohën që në kushtet e një konkurrence normale, çmimi do të mund të ishte shumë më i lirë.

Shenjat për abuzim nga ana e ofertuesve
I njëjti ofertues paraqitet shpesh si ofertuesi me ofertën më të ulët.

Ka një shpërndarje gjeografike të fituesve të tenderëve. Disa ndërmarrje marrin pjesë në tenderë, që i fitojnë vetëm në një sipërfaqe gjeografike të caktuar.

Ofertues të rregullt kanë dështuar në paraqitjen e ofertës në një tender në të cilin ata normalisht pritej të ofertonin, por vazhdojnë të ofertojnë për tenderë të tjerë.

Disa ofertues papritur tërhiqen nga ofertimi.

Disa ofertues gjithmonë ofertojnë, por asnjëherë nuk fitojnë.

Secila kompani duket sikur merr kthesë me të fituar ofertën.

Dy ose më shumë biznese marrin përsipër një ofertë të përbashkët, edhe pse njëri prej tyre mund ta realizonte ofertën i vetëm.

Fituesi i tenderit në mënyrë të përsëritur u nënkontrakton punët ofertuesve jofitimtarë.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura