TIRANË- Drejtori i Gendjes Civile, Armand Teliti padit kreun e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruci për shpifje për shkak të detyrës.
Padia është dorëzuar paraditen e sotme nga vetë Teliti dhe avokati mbrojtës i tij. Pas daljes nga prokuroria, Teliti sqaroi fare shkurt për mediat se padia ishte për gjithë ato që ka deklaruar Ruci në televizione e që sipas tij janë vetëm tellall shpifës.
“Ruci nuk e ngushëllon dot të pangushëllueshmin për humbjen e Tiranës duke bërë tellalin për shpifje. Uroj që padia jo vetëm të më japë të drejtë mua, por ta ndërgjegjësojë Rucin që të mos bëhet më gazi i botës nëpër ekrane”- ka thënë ai.
Sipas Telitit, drejtësia do të bëjë punën e vet, pasi ka ardhur koha t’i jepet fund tellaleve pa bazë, vetëm me mashtrime dhe shpifje. Pyetur se për cfarë shpifjesh konkretisht flet padia, Teliti ka dekalruar prerë. “Ruci ka shpifur në gjithë ato që ka thënë”.
© Panorama.al











