Partia Socialiste ka depozituar në Prokurori provat shtesë të dy kallëzimeve të ngritura më parë. Deputeti socialist, Armando Subashi, bëri publike
për mediat provat e gjetura në listat zgjedhore duke treguar, sipas tij, mjetet
e manipulimit të zgjedhjeve të 8 majit kryesisht në Tiranë. Një nga provat
e selisë rozë që ka çuar në manipulim të listave janë dhe dublimet, që sipas Subashit në të gjithë vendin arrijnë në 21 mijë. “Nga gjithë përpunimi që ne i bëmë listës përfundimtare të zgjedhësve rezultoi që së pari, në të gjithë Shqipërinë kishte rreth 21 mijë dublime të pastra dhe të fshehta. Nga këto rreth 5300 prej tyre rezultojnë të jenë vetëm në Bashkinë e Tiranës.
Për të qenë pak më konkret në shifra, rreth 1096 janë dublime të pastra, çka
do të thotë që në dy qendra votimi brenda Bashkisë së Tiranës figuron si votues i njëjti person”, u shpreh deputeti socialist. Sipas tij, përgjegjësitë për parregullsitë në lista bien mbi Drejtorinë e Gjendjes Civile. “Ishte një detyrim ligjor absolutisht i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për të bërë pastrimin e listës nga këto dublime dhe për fat të keq kjo nuk u bë dhe lista përfundimtare është një listë e shoqëruar me të tilla probleme”, u
shpreh Subashi. Përveç dublimeve të zgjedhësve, ekspertët e selisë rozë kanë
zbuluar dhe natyrat e tyre, ku në disa raste janë dublime të hapura dhe në
raste të tjera të fshehta, ku votuesit i ndryshohet një nga elementët e identitetit. “Në listë ka edhe mjaft dublime të fshehta, ku persona
të caktuar kanë ndryshuar vetëm njërin element të identitetit të tyre, duke e
bërë të pakapshëm dublimin. Pjesën dërrmuese të tyre e zë Bashkia e Tiranës.
Në 8 maj na rezulton se këta persona kanë votuar në të dyja qendrat e
votimit. Bëhet fjalë për krijimin e personave të rremë, por që nuk ekzistojnë. Janë regjistruar edhe familje të rreme. Na rezulton se kanë votuar edhe emigrantët që nuk ndodhen në Shqipëri. Kemi besim që Prokuroria
shqiptare do të zbardhë këtë skandal me listat”, u shpreh Subashi. Një tjetër
skandal në zgjedhjet e 8 majit ,sipas Partisë Socialiste, janë dhe votimi i emigrantëve. “Ne disponojmë lista të sakta të emigrantëve, sidomos në Bashkinë e Tiranës, të cilët nuk kanë qenë prezent në ditën e votimit, por nga të gjitha raportimet e komisionerëve tanë rezulton që një pjesë e tyre të kenë votuar. Besoj është e qartë dhe e kuptueshme sesi mund të kenë votuar këta emigrantë, të cilët nuk kanë qenë atë ditë në Shqipëri”, u shpreh Subashi.
Pjesë e kallëzimit të socialistëve në Prokurori është bërë dhe rezultati i Tiranës, ku ata kërkojnë nga Prokuroria të hetohet mosrakordimin
mes numrit të votave dhe numrit të votuesve. “Në pjesën më të
madhe të qendrave të votimit, kemi pasur një mosrakordim total të shifrave.
Kjo ka vetëm një shpjegim, s’ka asnjë shpjegim tjetër. Shpjegimi i
vetëm është që në të gjitha këto kuti janë futur duart, pra janë shtuar fletë votimi nga persona të caktuar, qoftë në KQZ, qoftë edhe jashtë KQZ-së, si përfundim morëm atë rezultat të deformuar për Bashkinë e Tiranës”,
u shpreh deputeti socialist Subashi. ARISTIR LUMEZI
Provat e PS per manipulimin
Në të gjithë Shqipërinë, rreth 21 mijë dublime
të pastra dhe të fshehta
Rreth 5300 dublime rezultojnë të jenë vetëm në
Bashkinë e Tiranës
Rreth 1096 janë dublime të pastra, çka do të
thotë që në dy qendra votimi brenda Bashkisë
së Tiranës figuron si votues i njëjti person
Dublime të fshehta, ku persona të caktuar kanë
ndryshuar vetëm një element të identitetit të
tyre
Në listat e zgjedhësve janë krijuar persona të
rremë deri dhe familje të rreme
Shumë emigrantë, kryesisht në Tiranë, kanë
votuar pa ardhur në Shqipëri, përmes
dokumenteve të rreme të identitetit
II. Kallëzim për rezultatin e Tiranës
Mosrakordim i numrit të votave me numrin e
votuesve











