VLORE – Pas një viti nga zgjedhjet vendore, Prokuroria e Vlorës ngre akuzën për falsifikim të listave të zgjedhësve ndaj përgjegjësit të Zyrës së Gjendjes Civile në komunën Vllahinë. Me anë të një njoftimi zyrtar, organi i akuzës bëri të ditur se janë verifikuar të dhënat dhe ka prova se Ariton Shoraj është përgjegjës për falsifikimin e listave përfundimtare të zgjedhjeve për drejtuesit e pushtetit vendor që u zhvilluan më 8 maj të vitit të shkuar. Hetimet nisën në bazë të kallëzimit të kryer nga kandidati i Aleancës për të Ardhmen në komunë, Gëzim Hoxha. Ky i fundit akuzoi se është bërë pasqyrimi i të dhënave të rreme në listat përfundimtare të zgjedhësve të Vllahinës. Sipas tij, në lista janë shtuar në mënyrë fiktive emrat e rreth 424 zgjedhësve, të cilët pretendohet se janë transferuar me vendbanim në Komunën Vllahinë, por që nuk kanë rezultuar në listat paraprake te zgjedhësve. Po kështu, nga ana e kallëzuesit u pretendua se dokumentacioni i përdorur për regjistrimin e këtyre shtetasve në zyrën e gjendjes civile të komunës Vllahinë, ishte transferuar në regjistrat e gjendjes civile të saj pa dijeninë e tyre. Nga verifikimet e Prokurorisë së Vlorës rezultoi se një pjesë e personave nuk dinin për këtë proces, ndërsa një pjesë tjetër kanë dorëzuar vetëm kartën e identitetit, por pa plotësuar asnjë dokumentacion zyrtar për regjistrimin e tyre. Për këtë është kryer edhe një akt ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e këtyre personave në gjendjen civile të komunës Vllahinë, rrjedhimisht edhe në listat përfundimtare të zgjedhësve të komunës Vllahinë. Hetimet disamujore çuan në faktin se Shoraj është përgjegjës dhe ai u mor i pandehur me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Zgjedhjet në komunë i fitoi kandidati i së majtës, i cili kreu dhe kallëzimin, Gëzim Hoxha. q.b











