Lista e Aluizni: Legalizimet, 2800 emrat që marrin tapitë në 12 qarqet e vendit

Jul 13, 2012 | 11:57

Lista e përfituesve në 12 qarqet e vendit. Kreu i ALUIZNI-t, Ardian Kollozi: Qytetarët të paguajnë faturat financiare.

Agjencia e Legalizimeve ka përfunduar shqyrtimin e dokumentacionit tekniko-ligjor për 2800 vetëdeklarues informalë, të cilët duhet të bëjnë pagesën e faturës financiare në mënyrë që të tërheqin lejen e legalizimit. Gazeta boton sot të plotë listën me emrat e qytetarëve për të dymbëdhjetë qarqet në vend, sipas listës së bërë publike nga ALUIZNI. Drejtori i këtij institucioni, Ardian Kollozi, thekson në një njoftim për shtyp, se të gjithë qytetarët duhet të plotësojnë detyrimet e tyre në mënyrë që procesi të përmbyllet sipas afateve. “Shfrytëzojmë këtë mundësi komunikimi për të ftuar ata ndërtues informalë, dhe kryesisht emigrantët që kthehen gjatë muajve të verës, të shfrytëzojnë kohën dhe mundësitë për të plotësuar detyrimet e tyre, me qëllim përmbylljen e procesit brenda afatit të shpallur, viti 2013. Theksojmë se Drejtoria e ALUIZNI-t, tashme me ndryshimet e bëra, garanton se brenda afateve të përcaktuara, me korrektesë dhe transparence maksimale, do të përmbushë detyrimet e saj” shprehet Kollozi. Detyrimi që qytetarët duhet të plotësojnë është tërheqja e faturës financiare pranë ALUIZNI-t dhe kryerja e pagesës së saj. Pas kësaj procedure, një mandat arkëtimi dorëzohet te zyrat e Agjencie së Legalizimeve. Pas kësaj, qytetari mund të tërheqë lejen e legalizimit pas 48 orësh në të njëjtën njësi ku edhe është lajmëruar, për dorëzimin e mandatit. Të gjithë ata që nuk do të kryejnë në kohë pagesën sipas prononcimeve të dhëna më herët nga kreu i ALUIZNI-t Ardian Kollzoi, dosja e tyre do të kalohet në një moment të dytë. Gjithë përshpejtimi i procedurave ka ardhur me synimin e vetëm të përmbylljes brenda vitit 2013 të procesit të legalizimeve.
Dy ditë më parë, në funksion të përshpejtimit të procesit, qeveria miratoi një vendim që shtonte drejtoritë rajonale në varësi të ALUIZNI-t qendror dhe që do të shërbejnë për përpunimin e sa më shumë dosjeve në një njësi kohe të shkurtër. Nga të gjitha vetëdeklarimet e bëra rezulton që të jenë rreth 270 mijë të tilla, nga të cilat 240 mijë të kualifikuara. Nga ana e ALUIZNi-t po përpunohen rreth 2-3 mijë dosje në harkun e 1-2 javëve.

Per te pare emrat qe marrin  lejen klikoni linkun:
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/07/lista_aluizni.pdf

© Panorama.al

Te lidhura