
Legalizimet, publikohen emrat për të gjithë vendin. Kollozi: Kanë marrë faturat, por nuk shlyejnë detyrimet.
Agjencia i ka dërguar faturat. Kollozi: Pas këtij njoftimi do veprojmë.
ALUIZN-i: Po nuk paguan, rrezikojnë të humbin tapitë.
Procesi i legalizimeve duket se do të marrë një rrjedhë tjetër për të paktën 13064 familje. Pronat e këtyre të fundit rrezikojnë të përfitojnë nga pagesat e tokës me çmime preferenciale që parashikon ligji aktual, deri në shembjen përfundimtare të shtëpive dhe ndërtesave. Gazeta publikon sot emrat e 13064 familjeve, të dërguara nga Agjencia e Legalizimeve, të cilat nuk kanë paguar detyrimet financiare për të marrë tapinë e tokës. “Në funksion të transparencës dhe të komunikimit intensiv me qytetarët, po publikojmë listën e plotë të qytetarëve për të cilët janë përgatitur dhe dërguar faturat financiare për legalizimin e ndërtimeve që kanë vetëdeklaruar”, thuhet në njoftimin e ALUZINI-t. Sipas Agjencisë, këto familje edhe pse i kanë marrë faturat, nuk kanë paguar ende detyrimet. Procesi i legalizimeve pritet të mbyllet brenda vitit 2013, por është detyrim i familjeve që përfitojnë të shlyejnë faturat, në të kundërt ata nuk do të marrin lejen e legalizimit dhe më pas tapinë e shtëpisë dhe tokës. Sipas ligjit, mbi 300 metra katrorë tokë, çdo metër shtesë paguhet me çmim tregu. Për të legalizuar parcelën deri në 300 metra katrorë, fatura mund të shlyhet 50 për qind me bono privatizimi, kur parcela dhe ndërtimi informal është brenda vijës së verdhë. “Rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë se brenda 48 orësh nga pagesa e faturës financiare, drejtoritë e ALUIZNI-t do të lëshojnë lejen e legalizimit. Pas këtij njoftimi, drejtoritë rajonale rezervojnë të drejtën që për të gjithë vetëdeklaruesit që nuk respektojnë afatin kohor të pagesës së faturës financiare, të shqyrtojnë dosjet përkatëse në fund të procesit”, thekson kreu i ALUIZN-it, Ardian Kollozi, në njoftimin e djeshëm.
(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)











