Lirohen sot 4 mësueset e arrestuara

Jul 3, 2012 | 13:49
Shkolla “Ibrahim Rugova”

Prokuroria e Tiranës kërkon në Gjykatë masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për katër mësueset e arrestuara në shkollën e mesme të përgjithshme “Ibrahim Rugova” në Kamzë.
Ditën e djeshme organi i akuzës dorëzoi në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetaseve Klodiana Kryemadhi, 33 vjeçe,  Fatbardha Mahmutaj, 49 vjeçe, Arjana Metaliaj, 32 vjeçe, Nevila Fiku, 47 vjeçe, të gjitha me detyrë mësuese pranë shkollës së mesme të përgjithshme “Ibrahim Rrugova”, në Kamzë. Në kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës, sqarohet se katër mësueset akuzohen se kanë marrë para në kërkim të zgjidhjes së testeve në provimet e Maturës në Matematikë, Letërsi dhe Histori. “Shtetaset Nevila Fiku dhe Klodiana Kryemadhi janë kapur në flagrancë në Kamzë me shumat e parave të përfituara nga kjo veprimtari e kundraligjshme”, është shprehur Prokuroria. Sipas saj, ndonëse vepra penale është e provuar me deklarime, përgjime zanore dhe video, masa detyrim paraqitjeje është kërkuar për katër mësueset për shkak të detyrës që ato kanë, mungesës së rrezikshmërisë shoqërore dhe pendimit që kanë shprehur për abuzimin e kryer.
Maturantët me celularë
Mësueset e arrestuara në Kamzë akuzohen se kanë marrë nga dy maturantë shuma me vlerë 200 mijë lekë për provimin e Matematikës, 250 mijë lekë për Letërsinë dhe 300 mijë lekë për Historinë e thelluar. Në tri rastet, ato kanë ndihmuar me zgjidhjet e testit dy vajza të cilat kanë hyrë në sallat e provimit me celularë. Hyrja e maturanteve me telefona në sallat e provimit realizohej në një mënyrë krejt origjinale. Dy maturantet kanë marrë me vete nga dy telefona ditët e provimit dhe në momentin kur janë kontrolluar para hyrjes në sallë, u është gjetur njëri telefon. Këtu kontrolli është ndërprerë nga personeli arsimor duke menduar se maturantet nuk kishin sende të tjera të paligjshme me vete. Ndërkohë nxënëset, sipas hetimeve të Prokurorisë, kanë hyrë në sallat e provimit duke mbajtur telefonin e dytë më vete. Pikërisht në këta telefona janë dërguar edhe përgjigjet e pyetjeve të provimeve nga katër mësueset e arrestuara me akuzën e korrupsionit. Sipas hetimeve të zhvilluara nga njësia Task-Force Antikorrupsion mësohet se mësueset i kanë ndarë paratë, ndërsa si ndërmjetëse ka qenë ajo e Fizkulturës Nevila Fiku. Pasi ka marrë paratë nga të afërmit e maturanteve ajo sipas rastit i ka ndarë ato me koleget, duke i dhënë 3 mijë lekë të rinj mësueses së Matematikës, 5 mijë lekë të rinj asaj të Letërsisë dhe 8 mijë lekë të rinj koleges së Historisë për gjetjen e përgjigjeve të testit.

Mësueset e arrestuara
Nevila Fiku, 47 vjeçe, mësuese e Fizkulturës

Klodiana Kryemadhi, 33 vjeçe,
mësuese e Gjuhë-Letërsisë

Fatbardha Mahmutaj, 49 vjeçe,
mësuese e Gjuhë-Letërsisë

Arjana Metaliaj, 32 vjeçe,
mësuese e Histori-Gjeografisë

Të gjitha në shkollën “Ibrahim Rugova”

“Edhe mësueset kopjonin”
Ditën e shtunë të javës që shkoi në ditën e provimit të lëndëve me zgjedhje, mësuesja e Fizkulturës, Nevila Fiku dhe e Historisë Klodiana Kryemadhi, janë nisur nga Tirana për në Kamzë ndonëse ishin pushim dhe nuk kishin lidhje me provimin që zhvillohej. Me vete ato kanë pasur librat e lëndës së Historisë. Sipas burimeve nga hetimi, pasi mësonin pyetjet që u kishin rënë maturanteve në test, mësueset hapnin librat dhe gjenin përgjigjet që i dërgonin më pas tek nxënëset në provim. Në të njëjtën mënyrë, mësueset kanë “kopjuar” edhe në provimet e Matematikës dhe Letërsisë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura