Lirimi i të akuzuarve për masakrën e Cërrikut, inspektorët marrin dosjen

Jun 6, 2012 | 14:01
Banda e Cërrikut në gjyq

TIRANE – Një ditë pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda deklaroi të pafajshëm tre prej të pandehurve të bandës së Cërrikut, Ministria e Drejtësisë nisi inspektimin e kësaj dosjeje. Fakti për inspektimin e verdiktit që liroi nga akuzat tre persona të dënuar përkatësisht me burgim të përjetshëm, 22 dhe 21 vjet burg, u bë i ditur që pas shpalljes së tij, pasditen e së hënës. Në orët e para të paradites së djeshme, dy inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë nisën verifikimet në “terren”. Ata kanë vijuar kontrollet për dosjen me nëntë të pandehur. Aktualisht ata kanë në dispozicion vetëm dispozitivin e vendimit, pasi arsyetimi i plotë i vendimit pritet të zbardhet në ditët në vazhdim. Burime pranë Apelit për Krimet e Rënda thonë se inspektorët do të verifikojnë të gjithë praktikën e gjykimit të dosjes me nëntë të akuzuar, që nga Shkalla e Parë e më pas në Apel. Në të gjitha rastet do të verifikohen qëndrimet e palëve në fazat e ndryshme të gjykimit. Në përfundim, të gjitha rezultatet e inspektimit do të paraqiten në një raport të posaçëm të Ministrisë së Drejtësisë për këtë rast. Verdikti që “ftoi” inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë për inspektim, u shpall pak pas mesditës së të hënës nga një trupë gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Amarildo Laci dhe anëtarë gjyqtarët Saida Dollani, Sokol Binaj, Dhurata Haveri dhe Fehmi Petku. Pas disa muajsh shqyrtimi gjyqësor të dosjes me nëntë të akuzuar për ngjarjen e njohur si “masakra e Cërrikut”, ata deklaruan të pafajshëm tre prej tyre dhe urdhëruan lirimin e menjëhershëm të tyre. Të pafajshëm u deklaruan Meti Bozi, Llazar Bicja dhe Skënder Cani, të cilët në Shkallën e Parë ishin dënuar respektivisht me burgim të përjetshëm, 22 vjet burg dhe 21 vjet burg. Sipas Gjykatës, ndaj tyre nuk provohej fajësia. Për pjesën tjetër të të pandehurve, Apeli e la të pandryshuar vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Ngjarja e njohur si “masakra e Cërrikut” është shënuar më 23 maj 1997. Një autokolonë më punonjës të Gardës së Republikës dhe punonjës të Policisë së Forcave Speciale ranë në një pritë të armatosur, ku u vranë 6 persona dhe u plagosën 16 të tjerë. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura