Rama mbetet i varfër, Linda me disa llogari dhe prona

Jul 19, 2011 | 9:40
Edi dhe Linda Rama

Edi Rama nuk është më një ndër politikanët më të varfër në vend. Pas martesës vitin e kaluar me Linda Bashën, kryetari i Partisë Socialiste nuk do të varet më vetëm nga rroga e tij.Në deklarimin e pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Rama ka deklaruar afërsisht të njëjtat të ardhura si një vit më parë, por ndryshimi është se këtë vit së bashku me të ka bërë publike pasurinë edhe Linda Basha. Sipas ligjit, meqenëse ajo e ka deklaruar pasurinë për herë të parë, në formular janë shënuar të gjitha të ardhurat në emër të saj dhe jo vetëm diferencat ndër vite. Gjatë vitit 2010, Edi Rama ka marrë në total 1.6 milionë lekë të reja nga rroga në krye të Bashkisë dhe shpërblimin e fundvitit. Ai ka gjithashtu 3 llogari bankare, të cilat kanë përkatësisht 23 mijë lekë, 500 mijë lekë dhe 221 mijë lekë. Në një llogari rrjedhëse ku ka kartën e kreditit, Rama ka deklaruar 1.424 euro më pak, si dhe ka vazhduar të shlyejë një kredi ku gjatë 2010-s ka paguar 210 mijë lekë.
Llogaritë e bashkëshortes
Linda Basha ka deklaruar se ka blerë një apartament në vitin 2005 me sipërfaqe 146 m2 ku gjysma e vlerës është paguar atë vit nga ajo në shumën 50.391 euro dhe gjysma tjetër është paguar në vitin 2009 nga bashkëpronari në shumën 12.7 milion lekë. E njëjta formulë është ndjekur edhe me blerjen e një garazhi me sipërfaqe 17 m2, ku në vitin 2005 është paguar 2500 për gjysmën e sipërfaqes dhe në vitin 2009 bashkëpronari ka paguar gjysmën tjetër me vlerë 1 milion lekë. Në pasurinë e Linda Ramës është shënuar gjithashtu blerja e dy sipërfaqeve tokë arrë (2528 m2 dhe 1955 m2) me një vlerë totale 10.8 milionë lekë. Në emër të saj janë gjashtë llogari bankare të cilat variojnë nga 50 euro deri në 19.500 euro. Një llogari është deklaruar në lekë dhe ka 197 mijë lekë, ndërsa një llogari është me 165 franga zvicerane. Gjatë vitit 2009, Linda Basha rezulton të ketë dhënë dy hua pa interes, njërën në shumën 30 mijë euro dhe tjetrën në shumën 40 mijë euro.
Të ardhurat
Burimet e të ardhurave të bashkëshortes së kryetarit të Partisë Socialiste gjatë viteve të fundit kanë ardhur nga disa drejtime. Kështu, nga mësimdhënia në Universitetin Europian të Tiranës ajo ka përfituar 3.423 euro. Në të njëjtën kohë, ajo ka përfituar të ardhura të konsiderueshme edhe nga angazhimi në disa OJQ. Nga qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor Linda Rama ka marrë fillimisht 540 mijë lekë, më pas 9.850 euro dhe 2.200 USD, ndërsa nga “Open Society Foundation for Albania” ka përfituar 624 mijë lekë. Përveç këtyre të ardhurave, ajo ka përfituar deri tani 19.440 euro nga dhënia e një apartamenti me qira. Ndërkohë që 2010- dhjetor 2010 ka paguar 8 mijë franga zvicerane (ose 50% të shumës, pasi pjesën tjetër e ka paguar bashkëshorti me të cilin është ndarë) për studimet e vajzës.

Deklarimi i pasurisë së Edi dhe Linda Ramës

Edi Rama

Faksimile e deklarimit të pasurisë së çiftit Rama

– Gjendje në llogari rrjedhëse në Tirana Bank më 31.12.2010 nga paga dhe honorare 221.421 lekë
– Gjendje në llogari rrjedhëse në Credins Bank më 31.12.2010 nga honorare 23.597 lekë
– Gjendje në llogari rrjedhëse në Credins Bank më 31.12.2010 (kartë krediti) – 1.424 euro
– Kursime cash nga paga në periudhën 01.01.2010- 31.12.2010 500.700 lekë
– Paga neto dhe shpërblimi i fundvitit 1.613.879 lekë
– Detyrim shlyerjeje kredie 210.000 lekë

Linda Rama
– Apartament, sipërfaqe 146 m2 dhe verandë 68 m2: 50% e sipërfaqes e blerë në 22.12.2005 me vlerë 50.391 euro dhe 50% e sipërfaqes e blerë nga bashkëpronari më 31.08.2009 me vlerë 12.790.000 lekë
– Garazh me sipërfaqe 17 m2: 50% e sipërfaqes është blerë në 22.12.2005 2500 euro dhe 50% e sipërfaqes është blerë nga bashkëpronari më 31.08.2009 me vlerë 1.042.000 lekë
– Tokë arë 2528 m2 në Surrel, Tiranë, e blerë në 13.10.2005 me vlerë 500.000 lekë
– Tokë arë 1955 m2 në Surrel, Tiranë, e blerë në 14.07.2008 me vlerë 586.650 lekë
– Gjendje në llogari rrjedhëse në Bankën Intesa San Paolo më 31.12.2010 4.952 euro
– Depozitë 1-vjeçare në Bankën Intesa San Paolo më 31.12.2010 19.500 euro
– Gjendje në llogari rrjedhëse në Bankën Intesa San Paolo më 31.12.2010 197.850 lekë
– Gjendje në llogarinë rrjedhëse në Bankën Intesa San Paolo (master card) më 31.12.2010 153 euro
– Gjendje depozite në Bankën Intesa San Paolo (master card) më 31.12.2010 50 euro
– Gjendje në llogari rrjedhëse 2 emërore me Rea Xhillari në Union Bank më 31.12.2010 165 CHF
– Kontratë huaje pa interes më 13.10.2009 30 mijë euro
– Kontratë huaje pa interes më 28.10.2009 40 mijë euro
– Të ardhura nga mësimdhënia në UET 3.423 euro
– Të ardhura nga Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor 540 mijë lekë
– Të ardhura nga Open Society Foundation for Albania 624.000 lekë
– Të ardhura nga Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor 9.850 euro; 2.200 USD
– Apartament të dhënë me qira 19.440 euro
– Pagesa për shkollimin e vajzës janar 2010-dhjetor 2010 në masën 50% të detyrimit total (përcaktuar me vendim gjykate për zgjidhjen e martesës) 8.000 CHF

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura