‘Mund të më burgosin, por s’më eliminojnë’

Jul 16, 2011 | 10:31

PRISHTINE- Ish-ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Limaj, në një deklarim televiziv, u ka bërë me dije të gjithëve se mund ta harrojnë idenë se mund ta eliminojnë politikisht.

“Edhe nëse më fusin në burg, kurrë nuk mund të më eliminojnë. Le ta harrojnë. Mund të më eliminojë vetëm vota e popullit”, ka thënë Limaj në emisionin “Debat” në RTK, transmeton “Zëri”.

Ai ka pohuar se nëse imuniteti nuk i merret në Kuvend me 61 vota, çdo veprim tjetër do të jetë i paligjshëm. Limaj ka pohuar se edhe mund ta arrestojnë në ndërkohë, por këtë familja e tij do ta konsideronte si rrembim.

Deputeti i PDK-së është treguar i gatshëm për ballafaqim me drejtësinë, duke thënë e di se do të dalë prapë i pastër, si në rastin me Ministrinë. Ka shprehur bindjen që rrjedhimisht nuk ka asgjë në rastin që po akuzohet.

“Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Agim Çeku, Kadri Veseli, Ramë Buja, që të gjithë e dinë se unë nuk kam qenë në Kosovë, në kohën për të cilën akuzohem. Të gjithë e dinë”, ka thënë Limaj.

© Panorama.al

Te lidhura