Andi Lila nuk shqetësohet nga ardhja e Dallkut dhe e Currit. Kapiteni i Tiranës (nuk dihet edhe për sa kohë) është ende i paqartë për të ardhmen e tij. “Ardhja e Currit dhe e Dallkut është një gjë shumë pozitive për ekipin tonë kombëtar dhe kjo do të na shërbejë për të zhvilluar një ndeshje të mirë në Bosnjë. Sa i përket pozicionit tim, unë mendoj se nuk ka rëndësi se ku luaj me fanellën kuqezi. Jam mbrojtës i djathtë dhe ky rol më pëlqen, por kam luajtur kudo”, ka thënë Lila në konferencën e djeshme për shtyp. Më tej, 25-vjeçari ka folur edhe për të ardhmen, por ka lënë të kuptohet se sezonin e ardhshëm dëshiron të luajë jashtë Shqipërisë. “Do ulem dhe do bisedoj me njerëzit që janë të interesuar. Për momentin, jam i përqendruar te Kombëtarja, por një eksperiencë jashtë do ishte një gjë shumë pozitive si në aspektin personal, ashtu edhe në atë financiar – është shprehur Lila -Sa për Bosnjën, mund të them se këtu në Tiranë zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, barazuam 1-1, por edhe mund të fitonim. Ndërsa në transfertë, për ne është gjithnjë e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur dhe ne kemi shanset tona. Shpresoj të vazhdojmë hapin e nisur me Bjellorusinë. Një vit më parë, në këtë periudhë kemi luajtur me Malin e Zi dhe kemi fituar 1-0. Shpresoj të dalim kështu prapë. A më tremb Xheko? Nuk ka pasur ndonjë emër që më ka vendosur në ndonjë vështirësi të madhe”.











