Lila-Hyka paguajnë nga xhepi për të ikur nga Tirana

Jun 27, 2011 | 12:05

Largimi i tyre është i zyrtarizuar tashmë: Lila do të jetë pjesë e PAS Janina në kampionatin grek të futbollit, ndërsa Hyka do të luajë sipas kontratës, të paktën për tri sezonet e ardhshme te Lyzerna në Zvicër. Por, ndonëse nuk konfirmohet nga askush si nga ana e lojtarëve dhe nga drejtuesit e klubit, që të dy lojtarët do të paguajnë nga xhepi i tyre për të shkuar te këto skuadra. Sipas informacioneve konfidenciale, thuhet se mesfushori duhet të paguajë deri 50 mijë euro për të marrë dokumentet nga klubi bardheblu, ndërsa mbrojtësi, deri në 30 mijë euro. Kjo shifër mund të ulet vetëm nëse mes dy lojtarëve dhe presidentit Halili mund të arrihet në një kompromis.
Kontrata e Hykës – Si Jahmir Hyka dhe Andi Lila kanë pasur kontrata të rregullta me Tiranën. Hyka pati ardhur vetëm në janar të këtij viti te kjo skuadër nga Panioniosi (Greqi) dhe, sipas të dhënave, presidenti i klubit të Tiranës pati paguar 50 mijë euro për kartonin e këtij futbollisti (ndërkaq, thuhet por nuk konfirmohet që këtë shifër ta ketë paguar vetë lojtari, duke mos marrë një pjesë të rrogës nga klubi grek). Me afrimin te klubi bardheblu, Hyka firmosi një kontratë 2-vjeçare, duke përfituar rreth 140 mijë euro (nga 70 për sezon). I pyetur për kontratën e lojtarit, presidenti Refik Halili pati pohuar se kushdo që do të kërkonte shërbimet e tij brenda harkut të këtyre dy viteve, duhej të paguante shifrën e mësipërme, pra 50 mijë euro. Por, sipas të dhënave, lojtari nuk është paguar thuajse fare nga presidenti Halili (duhej të merrte rreth 29 mijë euro) që nga afrimi i tij te Tirana, ndaj me gjasa për Hykën do të ndiqet e njëjta strategji si me Sebino Plakun. Kjo do të thotë që lojtarit do t’i jepen letrat për të shkuar te Lyzerna, por duke lënë në një fare mënyre rrogën që duhej të merrte gjatë kësaj kohe.
Kontrata e Lilës – Pak a shumë e njëjta gjë edhe për ish-mbrojtësin e Tiranës, Andi Lila. Edhe ky i fundit ka pasur një kontratë, e cila i është rinovuar vetëm në 25-vjetorin e ditëlindjes së tij, në muajin prill. Sipas të dhënave, Lila do të lejohej të largohej nga skuadra, nëse do të kishte një ofertë të mirë, por në këtë mes do të përfitonte diçka edhe klubi bardheblu. Në rastin konkret, thuhet se për futbollistin e Kombëtares shifra mund të shkojë deri në 20 mijë euro, të ardhura këto që realisht Lila duhet t’i përvetësojë nga Tirana për sezonin e fundit. Ndërkaq, e sigurt është që (si PAS Janina në rastin e Lilës ashtu edhe Lyzern në rastin e Hykës) nuk do të paguajnë asnjë euro për kartonët e dy futbollistëve. Lila do të përfitojë rreth 200 mijë euro te klubi grek, ndërsa Hyka rreth 140 mijë euro në sezon.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura