Lika e pranon: Vetëm kupa na shpëton

May 7, 2012 | 11:00

Nëse nuk arrihet asnjë trofe, mesfushori e konsideron të dështuar sezonin.

“Kam vuajtur nga tribuna, doja aq shumë të isha në fushë”
Ka tri javë larg fushave të blerta dhe pret me ankth që të kthehet këtë fundjavë. Bëhet fjalë për Gilman Likën, mesfushorin shkodran që pas një dëmtimi të pësuar ka humbur tri ndeshje, atë me Dinamon, Shkumbinin dhe të fundit me Laçin. Këto përballje i ka ndjekur nga tribuna dhe i ka vuajtur po aq sa edhe lojtarët në fushë, ndoshta edhe më shumë. Janë 180 minuta që i ka përjetuar me ankth dhe nervozizëm, pasi skuadra e tij humbi edhe titullin me ato pesë pikë të lëna ndaj dinamovitëve e peqinasve. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën, 24-vjeçari rrëfen gjithçka ka ndjerë në ato dy ndeshje, por nuk harron të flasë edhe për kupën dhe të ardhmen e tij.
Gilman, keni tri javë larg fushave, a do të jeni gati për javën e fundit?
Besoj se po, të paktën mjekët më kanë dhënë shpresa. Do të doja shumë që të luaja këtë fundjavë kundër Kamzës, për të parë veten se ku jam, pasi në prag është edhe finalja dhe dua të jem në top-formë.
Si i keni përjetuar ato 180 minuta që i hoqën titullin nga duart Tiranës?
Tmerrësisht keq, i kam vuajtur shumë. Ndeshjet me Dinamon dhe Shkumbinin i kam parë nga tribuna dhe kam qenë realisht shumë nervoz. Gjatë gjithë kohës ndihesha fatkeq që i humba këto sfida dhe nuk mundesha të zbrisja në fushë për të bërë diçka. Ndoshta nuk do të bëja ndonjë gjë të madhe, por kur i sheh ndeshjet si spektator je më i kthjellët dhe mund të analizosh.
Tani që Tirana është jashtë pretendimeve për titull, kë do të donit kampion mes Skënderbeut dhe Teutës?
Unë do të doja Tiranën, por meqenëse kjo është e pamundur, nuk di të bëj parashikime. Kanë mbetur edhe 90 minuta lojë dhe besoj se asgjë nuk do të ndryshojë diçka, korçarët nuk do të gabojnë në finish. Megjithatë, futbollit kurrë s’i dihet.
A ka ndonjë peng në aspektin personal Gilmani?
Po, që nuk luajta me Dinamon e Shkumbinin dhe titullin sigurisht. I kisha vënë qëllim vetes që të mos humbisja ndeshje, por dëmtimi më penalizoi duke më lënë jashtë fushe.
Ka mbetur edhe një takim, çfarë parashikohet në këtë sfidë?
Ndeshja e fundit me Kamzën do të trajtohet si një provë gjenerale para kupës, sikundër ndodhi me Laçin. Tashmë pretendojmë të rifitojmë formën tonë më të mirë.
Nëse Tirana nuk e fiton kupën, çfarë ndodh?
Ndodh që dështon sezoni, gjë që nuk e do askush. Tirana nuk mund ta konceptojë një vit futbollistik pa një trofe dhe ne do të bëjmë të pamundurën që të mos zhgënjemë klubin, trajnerin dhe mijëra tifozë. Shto këtu edhe një shenjë hakmarrjeje kundër Skënderbeut, për atë takim të humbur që na nxori nga loja për titullin.
Kontrata juaj skadon në janar të vitit 2013, e mendoni largimin e parakohshëm?
Është herët për të folur, pasi fillimisht le të mbyllet ky sezon. S’e mohoj që kam pasur bisedime, por jo ofertë konkrete. Mirëpo gjithçka varet nga objektivat që do të ketë klubi dhe kushtet. Kam lexuar që drejtuesit kanë ndërmend të reduktojnë shpenzimet, e nëse ndodh kështu, unë sigurisht do të shoh interesat e mia. Megjithatë ka kohë për të folur për të ardhmen, fillimisht të fitojmë kupën.

© Panorama.al

Te lidhura