
Komisioni i Ligjeve miratoi dje me votat e të gjithë anëtarëve projektligjin “Për marrëdhëniet juridiksioanle në çështjet penale me Task-Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it”. Megjithatë, pavarësisht diskutimit të shkurtër që iu bë ligjit, seanca nuk kaloi pa debate brenda dy partive. Në fillim të mbledhjes, deputetet Ermonela Felaj dhe Vasilika Hysi nisën t’i bënin pyetje ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, për nene të caktuara të ligjit. Por, pas pyetjeve të dy deputeteve, ndërhyri ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili i kërkoi Grupit të tij që ta votojë ligjin pa diskutime për shkak se ai është i negociuar nga qeveria shqiptare. “Sado që ne ta diskutojmë këtu dhe mund të kemi diskutime të natyrave të ndryshme, kjo është një marrëveshje nën garancinë e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar e ka negociuar këtë marrëveshje, sado që ne ta diskutojmë si Komision Ligjesh, çdo nen i kësaj marrëveshjeje është i negociuar nga shteti shqiptar. ”, u shpreh Majko. Pavarësisht qëndrimit të ish-kreut të qeverisë gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në Serbi dhe periudhës për të cilën do të hetohet, deputetet e PS-së vazhduan të bëjnë pyetje dhe sugjerime për draftin. Nga ana tjetër, deputeti Alibeaj kërkoi që në njërin prej neneve të hiqej një paragraf, gjë që u hodh poshtë nga Komisioni. Ndërsa në nenin 32, ku thuhet “mjetet e marrjes së provave dhe provat e marra nga Task-Forca Hetimore Speciale e EULEX-it janë të vlefshme në procedimin penal të njohura në Shqipëri”, Alibeaj kërkoi që të shfuqizohej. Pasi atij iu rrëzua propozimi, së bashku me Bashkim Finon votoi kundër nenit.











