
Afati për pagesat është 10 ditë. Kamatëvonesat i vjel Përmbarimi.
Dita e parë e aksionit anti-duhan ka përfunduar me 6 gjoba dhe 47 kontrolle në lokalet e kryeqytetit. Task-Forca e Ministrisë së Shëndetësisë dje ka monitoruar ditën e parë të kontrolleve që kryhet nga inspektorët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal.
Aksioni i paralajmëruar ka mobilizuar disi pronarët e subjekteve private. Tavllat, të cilat ligji nuk i lejon në tavolina, ishin zhdukur në pjesën më të madhe të tyre.
Nga vëzhgimet që bëmë në terren, rezultoi se duhani tymosej lirshëm. Në vend të tavllave përdoren pjatat e filxhanëve ose ndonjë gjetje tjetër e momentit. Efektet e kontrollit të djeshëm nuk janë ndier shumë edhe për faktin se pjesa më e madhe e qytetarëve qëndrojnë në ambiente të hapura. Sesa efektive do të jetë kjo Task-Forcë, do të shihet në muajt e ardhshëm. Nuk kanë vonuar inspektorët e Task-Forcës së ngritur rishtazi për respektimin e ligjit anti-duhan, për të vendosur që në nisje gjoba ndaj pronarëve të lokaleve ku tymosej duhan apo mbanin tavlla në tavolinë.
“Ne do të vazhdojmë paradite, pasdite dhe në orët e vona të mbrëmjes, do të punojmë 24 orë dhe do të kryejmë kontrolle, duke kërkuar që të gjithë drejtuesit e bareve dhe restoranteve të na mirëkuptojnë”, tha Roland Shuperka, koordinator i ligjit antiduhan.
Gjobat për shkeljen e ligjit është 50 mijë lekë. Nëse subjekti nuk bën pagesën brenda 10 ditësh, atëherë fillon aplikimi i kamatëvonesës. Nëse lëshohet fletë-gjoba, për asnjë arsye nuk mund të hiqet, dhe vjeljen e saj e bën Përmbarimi.
Autoritetet shëndetësore kanë deklaruar se nuk do të ndikohen nga ndërhyrjet për të hequr gjobat, pasi klientelat kanë bërë që të dështojnë aksionet e mëparshme. “Gjobat do të mbeten në fuqi dhe nuk do të pranohet asnjë lloj ndërhyrjeje për t’i hequr ato. Përveç mangësive të tjera, klientelizmi ka qenë një tjetër arsye që aksionet e mëparshme kanë dështuar”, tha Roland Shuperka.
Vetë pronarët e bareve dhe restoranteve kanë kërkuar që gjoba të aplikohet edhe për vetë klientët. Sipas tyre, nuk kanë munguar rastet kur pavarësisht kërkesës për të mos konsumuar duhan, qytetarët nuk janë bindur.
Shifrat
Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë sa i përket konsumit të duhanit. Rreth 38% e popullsisë pi rregullisht cigare. Ligji anti-duhan ka hyrë në fuqi prej më shumë se 5 vjetësh dhe që në fillim zbatimi i tij ka dështuar. Janë ndërmarrë një sërë aksionesh, por pa rezultat.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











