Ligji antiduhan i dështuar, e konsumon 40% e popullsisë

Jun 1, 2012 | 14:07
Gjatë aktivitetit të djeshëm

Ligji antiduhan në vendin tonë është i dështuar dhe për këtë autoriteteve shëndetësore u është tërhequr vëmendja edhe nga ndërkombëtarët. Duhan pihet kudo, që nga dikastert e deri në pavijonet e spitalit. Sipas të dhënave, përllogaritet që duhanpirja të arrijë në rreth 40 %, ose 950 mijë duhanpirës. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vitet e fundit ka një shtim të vrullshëm të duhanpirëseve femra. Referuar raportit të ISHP-së, një duhanpirës për 40 vjet shpenzon 87 milionë lekë. Ndërsa për 10 vjet, një duhanpirës që konsumon vetëm gjysmën e paketës, harxhon 3 milionë e 62 mijë lekë, ndërsa ai që pi rregullisht duhan dhe konsumon rreth 3 paketa në ditë, paguan nga xhepi 21 milionë e 96 mijë lekë. Në botë, duhanpirja është quajtur një epidemi globale, sepse vret gati 6 milionë njerëz çdo vit. Dhe sipas OBSH-së, nëse vendet nuk veprojnë për uljen e numrit të duhanpirësve ky fenomen do të vrasë 8 milionë njerëz deri në 2030. Të pafuqishëm për ta ndalur duhanpirjen dhe për të shtrënguar qytetarët në zbatimin e ligjit, Ministria e Shëndetësisë ka tërhequr vëmendjen për më shumë sensibilizim nga qytetarët, duke u ndalur te dëmet që shkakton duhanpirja. Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Duhanit, mes një ekspozite të hapur pranë sheshit “Skënderbej” me pamje fotografike, autoritetet e larta të Shëndetësisë kanë bërë thirrje për më shumë ndërgjegjësim. Imazhet e vendosura përcjellin mesazhe informuese mbi duahnpirjen si një nga risqet më të mëdha të shëndetit. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Jemi në ditën që të tërheqim vëmendjen. Këtu janë vendosur një seri posterash që flasim më shumë se çdo gjë tjetër dhe ku qytetarët të kuptojnë qartë dëmet e forta nga duhani, të kuptojnë shkallën e dëmit dhe të kuptojnë se është shkaktari i sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerogjene, të bëjnë zgjedhjen e tyre para shëndetit dhe vdekjes së sigurt”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Dëmtim të mushkërive, të zemrës, sëmundshmëri më e shpeshtë, përkeqësim të astmës, madje edhe shkatërrim të pamjes së jashtme, janë ndër dëmet që shkakton duhani te njerëzit. Shqipëria renditet në vendet me shifra të larta të duhanpirjes.

© Panorama.al

Te lidhura