Zyrtarë të lartë në Ligën Arabe i kanë kërkuar Presidentit të Sirisë, Bashar Al Asad, të largohet vullnetarisht nga pushteti, duke i ofruar në këmbim një dalje të sigurt nga Siria për të dhe familjen e tij. Oferta u bë nga sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elarabi, i cili tha se propozimi kishte ardhur nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në takimin e Dohas, Katar. Në takim u premtuan edhe 100 milionë dollarë për refugjatët sirianë që kanë ikur në vendet fqinje, kryesisht Turqi. Liga Arabe pati një propozim edhe për rebelët, që të themelojnë një qeveri tranzicionale të unitetit kombëtar. Propozimi erdhi kur luftimet janë përshkallëzuar në qytetet më të mëdha siriane dhe situata po bëhet gjithnjë e më e ngjashme me Libinë, në ditët e fundit të regjimit të Muamar Gedafit. Ndërkohë, Bashar Al Asad u është përgjigjur deklaratave mediatike se regjimi mund të përdorë armët kimike kundër rebelëve, duke e refuzuar kategorikisht këtë mundësi. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Siriane, Jihad Makdisi, deklaroi se “armët kimike janë në stoqe të ruajtura me kujdes nga ana e forcave të armatosura. Ato nuk do të përdoren kurrë në çfarëdo konflikti brenda Sirisë”.











