Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, do të vizitojë Shqipërinë për të kërkuar që vendi ynë të mos e mbështesë krijimin e shtetit palestinez në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.Vizita e Lieberman në Shqipëri shënon vizitën e parë të një ministri të Jashtëm izraelit pas 17 vjetësh. Ai do të marrë pjesë në forumin ekonomik dhe do të jetë i shoqëruar nga përfaqësues të 16 kompanive izraelite. Lieberman udhëtoi dje për në Kroaci dhe shumë shpejt vjen në Shqipëri dhe Austri, ku mes çështjeve të tjera në axhendë ai do të kërkojë që këto vende të mos e mbështesin kërkesën palestineze për shtetësi në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila mbahet në shtator. Vizita e Lieberman në Shqipëri është një sfidë për ministrin e Jashtëm izraelit,pasi në një votim të mëparshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi çështjen e Palestinës, Shqipëria ka votuar kundër Izraelit, ndërsa Kroacia dhe Austria kanë abstenuar. Udhëtimi i Lieberman do të pasohet nga vizita e kryeministrit Benjamin Netanjahu në Rumania dhe Bullgari një javë më pas, me të njëjtin mesazh. Pas dy javësh, Netanjahu pritet të vizitojë Poloninë dhe Hungarinë, sërish në përpjekje për të mos lejuar që ata të mbështesin lëvizjen e Palestinës. Vizitat bëjnë pjesë në lotimin intensiv diplomatik të Izraelit, i cili kërkon që shumë vende të pozicionohen që tani publikisht kundër kërkesës së Palestinës. Deri tani, SHBA, Gjermania, Italia dhe Holanda kanë shprehur publikisht rezervime. Izraeli, sipas zyrtarëve, ka si synim që 60 vende, një sasi që Ministria e Jashtme izraelite i ka quajtur si “minoritet moral”, të votojnë kundër, të abstenojnë ose të mos marrin pjesë në votim. Si Kroacia edhe Austria kanë abstenuar në seancën e vitit 2009 kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar raportin e komisionit “Goldstone” mbi operacionin “Cast Lead”, një votë që u pa në atë kohë si një testim për Izraelin, i cili po monitoronte se ku duhej dhe ku nuk duhej të kishte besim. Në atë kohë, ai nuk pati besimin e palës shqiptare. Ndërsa nga vendet ku po udhëton Netanjahu, Polonia dhe Hungaria kanë votuar për Izraelin dhe kundër miratimit të raportit “Goldstone”, ndërsa Rumania dhe Bullgaria kanë abstenuar. Në atë votim edhe BE nuk ishte në unitet. Shtatë vende votuan për Izraelin, ndërsa pjesa tjetër abstenuan.
Erdogan
Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka kërkuar mbështetje mbarëbotërore për të mbështetur në OKB thirrjet e Palestinës për shtetësi, në seancën e shtatorit. Të premten zyrtarët më të lartë turq zhvilluan bisedime me Presidentin e Autoritetin palestinez, Mahmud Abas, sipas të përditshmes turke, “Zaman”. Sipas raportimit, Erdogan tha gjatë konferencës së përbashkët në Ankara se duhet të arrihet një zgjidhje e përhershme për konfliktin izraelito-palestinez dhe kjo mund të arrihet vetëm me një shtet palestinez, me Jerusalemin lindor si kryeqytetin e tij.
Obama
Në fjalimin e tij për Lindjen e Mesmen në maj, Presidenti Barak Obama tha se kufijtë e Izraelit duhet të bazohen në linjat që ekzistonin përpara luftës gjashtëditore në vitin 1967, me kushte të caktuara. Ai tha se kushtet duhet të përcaktoheshin reciprokisht me palestinezët për të siguruar njohjen e kufijve nga të dyja palët dhe thellimin e procesit të paqes. Më 14 maj 1948, pas luftës arabo-izraelite, Izraeli u bë një shtet i pavarur. Më 5 qershor 1967, Izraeli nisi luftën gjashtëditore. Ai mori kontrollin e Bankës Perëndimore, Jerusalemit Lindor, Rripit të Gazës, Lartësive Golan, përfshirë edhe territore palestineze.
© Panorama.al











