
UPDATE- “Përmbushje e kushteve të kërkuara përmes zbatimit të reformave për integrimin në BE dhe ndryshim i situatës politike me vendosjen e dialogut dhe ushtrimin e së drejtës së opozitës për t’i kërkuar llogari qeverisë në parlament”. Këtë porosi ka lënë në mbyllje të vizitës së tij në Tiranë, ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington, pasi ka takuar kreun e shtetit, qeverisë, opozitës dhe kryeprokuroren.
“Ne besojmë se integrimi duhet t’i jepet cdo vendi që i përmbush kriteret dhe për këtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria janë të mirëpritura në BE.
Por kriza e gjatë politike, ngërci politik dhe mosfunksionimi i dialogut mes palëve ngadalëson rrugën drejt integrimit, e bën rrugën më të vështirë, që sigurisht vështirëson edhe mbështetjen e vendeve anëtarë të BE për të përkrahur Shqipërinë”- ka thënë ai.
Sipas tij, kjo gjë rrezikohet serizisht, nëse nuk ka vendosmëri nga të dyja palët për të gjetur një mënyrë për të arritur objektivat e përbashkëta drejt integrimit. “Shqiqëria do mbetet pas vendeve të tjera nëse nuk përmbusht kushtet dhe nuk do të ketë ndryshim sa i takon situatës politike. I shpreha zotit Rama ambicjen e qeverisë britanike për të përkrahur cdo lloj forme ligjore të dialogut mes palëve politike. Opozita ta mbajë qeverinë në punë dhe të kërkojë llogari duke u përballur përmes dialogut. Një nga detyrat e opozitës është të sfidojë qeverinë dhe t’i prezantojë këto në Parlament. Por kjo nuk do jetë e mundur nëse ajo nuk shkon në parlament, kjo nuk do të mundësojë as përmbushjen e reformave ndërkombëtare për vendin. Ne vijoijmë të urojmë që të përmbushni detyrimet dhe të ndërmerrni angazhimet dhe reformat për të përmbushur ato”- tha ai.
Konferenca me Haxhinaston
Kapërcim të ngërcit politik, rivendosje urgjente e dialogut nga ana e liderëve shqiptarë dhe angazhim total në plotësimin e reformave që kërkon integrimi në BE. Ky ka qenë mesazhi i dhënë sot nga ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që zhvilloi me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Pa dashur të komentojë në detaje situatën e fundit politike në vend dhe duke pranuar se nuk ka njohje të argumentimit të dhënë nga kolegji Zgjedhor për vendimin e marrë, Lidington ka theksuar se ajo që është e rëndësishme për vendit, është vendosja në pozita pune. “Pas përfundimit të këtij procesi ajo që ka rëndësi është që opozita ta vërë qeverinë në pozita pune, që ajo të japë llogari në kuvedn për punën që kryen por edhe opozita duhet të përballojë sfidën e saj, jo në rrugë por në parlament”- tha ai.
Sipas tij, realizimi i reformave në aspektin ekonomik dhe në atë ligjor e administrativ mbetet sfida të Shqipërisë për integrimin.
“Miqtë e Shqipërisë në BE, kërkojnë që ngrëci politik në vend të kapërcehet, sepse e bën më të vëhstirë procesin e integrimit dhe ne kërkojmë nga liderët shqiptarë të marrin masa për të vendosur procesin e dialogut politik që të vazhdojnë reformat e nevojshme legjislative për përshpejtimin e integrimit.
Ne do të mbështesim ambicjet e saj për BE por kjo kërkon dhe angazhimin e vetë shqiptarëve që të vazhdojnë procesin e reformave dhe të rivendosin dialogun duke treguar përkushtimet që kanë”- tha ai.
© Panorama.al











