Pas përfundimit të takimit të liderëve të tetë vendeve më të zhvilluara të botës në Kemp Dejvis, Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, tha se ata kanë filluar të bien dakord për politikat e punësimit dhe rritja ekonomike do të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës në Europë. Obama tha se tetë udhëheqësit ishin dakord se vetëm shkurtimet buxhetore nuk janë të mjaftueshme për të rimëkëmbur ekonominë e Europës, duke mbështetur kështu politikat e Presidentit të ri francez, Fransua Holande, i cili kërkon një aneks të ri të paketën fiskale evropiane, ku të përfshihen planet e zhvillimit ekonomik. Liderët e vendeve më të zhvilluara industriale të botës, G8, në një komunikatë të përbashkët pas takimit kërkuan vendosjen e balancës mes rritjes ekonom-ike dhe masave të kursimit për të luftuar krizën ekonomike. Samiti i tetë vendeve të forta ku bën pjesë SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Rusia, i ka kushtuar shumë rëndësi krizës në Europë, si dhe çështjes së Greqisë, ku të gjithë liderët e 8 fuqive më të mëdha ekonomike shprehën dëshirën që ajo të mbetet brenda eurozonës. “Një eurozonë e fortë është e rëndësishme për stabilitetin global dhe se Greqia brenda saj është në interesin e eurozonës”, thanë ata në një deklaratë unanime, duke kërkuar paralelisht që Greqia të respektojë angazhimet e veta. Në takimin e G8 të këtij viti u diskutua gjithashtu edhe mundësia e mungesave në tregjet e naftës, kur të hyjnë në fuqi sanksionet e reja kundër eksporteve të naftës muajin e ardhshëm. Presidenti tha se ai dhe homologët e tij të G8-s bënë përparim në disa çështje të tjera me rëndësi ndërkombëtare, mes tyre ishin Afganistani, Siria dhe Koreja e Veriut.
Bankat në alarm
Bankat greke janë në gjendje alarmi, pasi qytetarët po vazhdojnë tërheqjen e parave nga depozitat e tyre me një fluks “të frikshëm”. Rreth një milion euro po tërhiqen mesatarisht në ditë nga bankat, shumë që po shteron likuiditetin duke rrezikuar ekzistencën e sistemit bankar në Greqi. Rreziku ishte paralajmëruar nga Presidebti Papulias në përpjekjet e tij të dështuara për të formuar qeverinë e unitetit. Bankat greke po përpiqen të ndalojnë fluksin e tërheqjes së parave duke shpallur norma interesi deri në 7 për qind ose duke vënë një kufi për dërgesat e remitancave.











