Libri “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, botimi i tretë me materiale të reja! Vitet kur Ismail Qemali jetoi në Bruksel përgjatë 1900-1908

Nov 19, 2024 | 8:56
SHPËRNDAJE

5a934c75-9146-49f9-bff7-333eb2f57773-864x420EVARIST BEQIRI

Libri “Themeluesi”, kushtuar figurës së Ismail Qemalit dhe lidershipit të tij, së shpejti vjen me botimin e tretë. Në këtë botim të tretë të përditësuar të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, nuk kemi ndryshuar asgjë sa i takon thelbit të përmbajtjes. Por nga ana tjetër, ky botim i tretë vjen si një domosdoshmëri në pasurimin e librit me disa materiale, me të cilat jam njohur kohët e fundit, përfshirë këtu foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900. Ismail Qemali jetoi në Bruksel në vitet 1900-1908. Aty ai realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar. Gjithashtu, publikohen për të parën herë në një libër, fotografi të bashkëshortes së tij Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Veçojmë këtu foton e realizuar në Paris, në Kongresin e Xhonturqve, në fillim të vitit 1902. Njëkohësisht e kemi pasuruar albumin fotografik me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900. Fashikulli titullohet: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”. Ai përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “Konfidenciale”.

Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it. Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar thekson faktin që: “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin.

Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose roli civilizues i Britanisë së Madhe në këndvështrimin mysliman”.

Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra, por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave i janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza: “Mon crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi im është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij e karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marrë, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.” Një falënderim i veçantë për Darling dhe Qamil Vlorën, stërnipërit e Ismail Qemal Vlorës, për vendosjen në dispozicion të fotografive dhe dokumenteve nga arkivi i familjes Vlora./ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura