TIRANE – Tre persona i kanë dhënë fund jetës dje në Librazhd, Shkodër dhe Durrës në tri ngjarje të ndryshme. Në orët e para të mëngjesit, shtetasi Shefqet Muça, 53 vjeç, baba i tre fëmijëve, është gjetur i vetëvarur. Sipas policisë, shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë gjendja depresive që po kalonte 53-vjeçari, banues në Librazhd. Ai kishte vite që përpiqej të bashkohej me ish-gruan e tij me të cilën ishte ndarë prej rreth 6 muajsh. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së të hënës, kur 53-vjeçari Shefqet Muça ka vendosur t’i japë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë në fshatin Gurë të komunës Qukës, në rrethin e Librazhdit. Valbona Begu, zëdhënësja e Policisë, deklaron se 53-vjeçari mesditën e së hënës kishte shkuar në fshatin Gurë për të vizituar të afërmit e tij dhe në kthim për në Librazhd në banesën e tij është vetëvarur në pemë, duke përdorur një kabllo elektrik. Ndërkaq në Shkodër, 19-vjeçarja Prenda Kolndreaj, lindur dhe banuese në fshatin Bardhaj të komunës Rrethina, është gjendur e varur në një kasolle bagëtish në fshatin “Gimaj” të komunës Shalë. Vajza kishte shkuar tek të afërmit e saj për një rast gëzimi, por më pas i ka dhënë fund jetës. Familjarët kanë gjetur vajzën e re të vetëvarur në kasollen e bagëtive rreth orës 18.00 të 15 gushtit. Policia tha se nga hetimet e para ka rezultuar se vajza e re vuante prej disa kohësh nga sëmundje depresive. Pasi ka marrë pjesë në gëzimin familjar, 19-vjeçarja u largua nga dreka, duke pretenduar se nuk ndihej mirë, por më pas ka kryer vetëvrasjen. Po dje, një 54-vjeçar është gjetur i varur në një shtyllë druri në Durrës. Viktima është shtetasi Jonuz Hoti, 54 vjeç nga fshati Kullë i Bashkisë së Sukthit. Ai është gjetur i varur pasditen e së hënës rreth orës 05.30, në vendin e quajtur Kthesa e Ariut, pranë banesës së tij. Sipas policisë, shtetasi Jonuz Hoti prej më shumë se një vit vuante nga sëmundja e depresionit, për të cilën edhe kurohej.











