LIBRAZHD – Katër shtetas janë prekur me sëmundjen e brucelozës të transmetuar nga kafshët, ku dy prej tyre ndodhen aktualisht të shtruar në spitalin rajonal të Librazhdit. Mjeku infektiv, Liman Mënalla, pohon se situata sa vjen e bëhet më shqetësuese, ku tashmë janë nën kurat e kësaj sëmundjeje tre pacientë, ndërsa një tjetër po kurohet në kushte shtëpie, pasi sëmundja u kap që në fillim. Të prekurit nga kjo sëmundje janë kryesisht barinj që shkojnë drejt shteteve fqinje Greqisë dhe Maqedonisë, ndërsa janë banorë të fshatrave Katjel, Babje, Polis dhe Lunik. Sipas mjekut Liman Mënalla, “të prekurit nga kjo sëmundjeje të transmetuar nga kafshët janë banorë të fshatrave, të cilët kanë kontakte me bagëtitë, por një faktor tjetër është dhe mosvaksinimi i bagëtive nga shërbimi veterinar”. Specialistë të bujqësisë pohojnë se të rrezikuar nga sëmundja e brucelozës janë edhe ata qytetarë, të cilët blejnë nënproduktet në treg, siç janë djathi apo qumështi, që do të thotë se janë pikërisht këto nënprodukte burimi i infeksionit. Sëmundja e brucelozës transmetohet nga kafshët e infektuara te njerëzit dhe zhdukja e saj kërkon shpenzime të mëdha, edhe për shkak të pasojave që mund të lërë te personi i prekur, pasi mund të dëmtojë rëndë shtyllën kurrizore dhe kockat, duke shkaktuar edhe invaliditet të përhershëm, madje duhet që të kurohet plotësisht, pasi sëmundja mund të rikthehet. m.s











