Librazhd, e dhunon i shoqi, gruaja tenton vetëhelmimin

Jul 6, 2011 | 10:36

LIBRAZHD – Një 28-vjeçare tentoi t’i jepte fund jetës duke konsumuar helmin e perimeve, pas dhunës së vazhdueshme të të shoqit. Zamira Luzi, nga fshati Spathar i komunës Qendër në Librazhd, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi sasia e lëndës helmuese që kishte pirë është mjaft e madhe. Burime të Policisë bënë të ditur se bashkëshorti i saj, i sapokthyer nga Greqia, ka pranuar dhunën e ushtruar ndaj saj para se ajo të kryente tentativën e vetëflijimit. Për këtë shkak, blutë e arrestuan për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes së mbetur në tentativë”, 29-vjeçarin Bledar Luzi. “Arrestimi i Bledar Luzit, banues në Spathar të komunës Qendër në Librazhd, u krye pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka keqtrajtuar në banesë bashkëshorten e tij, shtetasen Zamira Luzi, 28 vjeçe”, bëri të ditur Policia e Librazhdit. Pasi është dhunuar fizikisht nga i shoqi, 28- vjeçarja ka vendosur t’i japë fund jetës së saj. Kur kishin kaluar vetëm pak minuta nga rrahja, ajo ka konsumuar një sasi të konsiderueshme helmi, i cili përdorej për spërkatjen e perimeve. Ka qenë bashkëshorti i saj, i cili e konstatoi i pari vetëhelmimin. Ai e ka çuar 28-vjeçaren në spitalin e qytetit të Librazhdit, por, duke qenë se gjendja e saj ishte tepër e rëndë për jetën, mjekët vendosën që ta dërgojnë menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku aktualisht ndodhet e shtruar në gjendje kritike për jetën. Grupi hetimor, i ndodhur në vendin e ngjarjes, pas deklarimeve të marra nga bashkëshorti dhunues si edhe të afërm të gruas, konstatoi se kjo e fundit dhunohej sistematikisht fizikisht nga bashkëshorti i saj. Nënë e një fëmije 3 vjeç, veç gjendjes së rëndë ekonomike, ishte e detyruar që të përballej edhe me dhunën sistematike të të shoqit. Luzi ishte emigrant në Greqi ku punonte me kohë të pjesshme. Por, sa herë që kthehej nga emigracioni, ai dhunonte bashkëshorten e tij, kryesisht për shkaqe xhelozie, por edhe ekonomike. 29-vjeçari-Luzi ka pranuar në Polici se para se bashkëshortja e tij të vetëhelmohej, e ka dhunuar atë fizikisht.                      m.s

VETEVARJET

Dy të vetëflijuar, si pasojë e depresionit në Korçë dhe në Gramsh. Sipas Policisë, një 65-vjeçare nga fshati Kapshticë e Korçës është vetëvarur në afërsi të banesës së saj. Zeqafe Kutrolli u gjet në plevicën e saj nga bashkëshorti, pak momente pasi ishte vetëvarur me litar. Një 26-vjeçar është gjetur i vetëvarur edhe në fshatin Kukër të rrethit të Gramshit. Sipas Policisë, 26-vjeçari me inicialet S.H. ishte i sëmurë mendor.

Pogradec

Tenton t’i japë fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Vasie Oparaku, banuese në lagjen “Nr.1” në Pogradec, ndodhet në spital në gjendje të rëndë, pasi në kushtet e një gjendje të rënduar psikologjike ka konsumuar lëndën helmuese. Në një moment tronditjeje, kur në banesën e 45-vjeçares nuk ka pasur asnjë prej familjarëve me të cilët jetonte, ajo ka gjetur fostoksinën dhe e ka pirë menjëherë.

© Panorama.al

Te lidhura