Libra te rinj: Në kërkim të gurëve të shahut

Jun 11, 2012 | 14:43

“Me aftësinë e një alkimisteje, Neville përzien romancën moderne, trillimin historik, misterin mesjetar dhe nxjerr… ar”, shkruan “People”. I përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës, në një sondazh kombëtar në Spanjë, realizuar nga e përditshmja e njohur “El Pais”, “Sekreti i mijëvjeçarit” është votuar si një ndër dhjetë librat më të mirë të të gjitha kohërave. Që para më shumë se njëzet vjetësh, romani debutues i Katherine Neville, “Sekreti i mijëvjeçarit”, e befasoi lexuesin dhe përcaktoi etapën letrare të epokës së trillerit epik. Në kërkim të një kompleti mistik shahu, që dikur kishte qenë pronë e Karlit të Madh, ngjarjet e romanit shtrihen në dy shekuj dhe në tri kontinente, duke ndërthurur intriga të vjetra dhe moderne, kërkime arkeologjike thesaresh, gjëegjëza të fshehta dhe enigma të mbushura me të dhëna të kodifikuara nga e shkuara e lashtë. Qyteti i Nju Jorkut, 1972 – një amatore në matematikë dhe shah, Ketrin Velis, është gjithashtu eksperte kompjuterësh për një firmë të madhe kontrolli financiar, “Teta e Madhe”. Përpara se të niset me një detyrë të re në Algjeri, Keti lexon pëllëmbën e dorës të një parashikueseje fati. Gruaja e paralajmëron atë për një rrezik. Më pas, një tregtar antikash i bën Ketit një ofertë misterioze: ai ka një klient anonim, i cili po përpiqet të mbledhë gurët e një kompleti antik shahu, që mendohet se mund të jetë në Algjeri. Nëse Keti i sjell gurët në ShBA, ajo do të shpërblehet bujarisht. Jugu i Francës, 1790 – Mirej de Remi dhe kushërira e saj Valentina janë rishtare në abacinë e Montglejnit, që i ngjan një kështjelle. Kur Franca u përfshi nga flakët e Revolucionit, dy vajzat u rebeluan ndaj jetës së kufizuar të manastirit – ndërkohë që mjetet e shpëtimit i kishin gati. Në abaci, varrosur thellë, janë gurët e takëmit të shahut të Montglejnit, që dikur i përkiste Karlit të Madh. Kushdo që i bashkon gurët, mund të jetësojë Lojën, që ka fuqi të pakufizuara. Por, për ta mbajtur sekret Lojën nga ata që mund të abuzojnë me të, gurët duhen shpërndarë në të gjithë botën.
“Një vepër tërheqëse dhe argëtuese, që arrin të jetë sa prekëse, aq dhe me ide interesante nga pikëpamja intelektuale… Pak veta mund t’i rezistojnë”, shkruan “Los Angeles Times”.

Libri
Autorja: Katherine Neville
Titulli: Sekreti i mijëvjeçarit
Gjinia: Roman
Përktheu: Margarita Sulaj Skënderi
Nr. i faqeve: 644
Çmimi: 1500 lekë

© Panorama.al

Te lidhura