Libi, Gedafi përdor për herë të parë raketat “Scud”

Aug 17, 2011 | 11:46

Qeveria libiane për herë të parë ka urdhëruar përdorimin e raketave “Scud” kundër kryengritësve, të cilët kanë rrethuar Tripolin. Raketat kishin në shënjestër qytetet Brega dhe Sirte. Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara e kanë konsideruar këtë një shenjë dëshpërimi nga regjimi i Gedafit, i cili po përpiqet të mbajë “me dhëmbë” pushtetin. Zëdhënësi i kryengritësve, Ahmet Bani, tha për “Reuters” se përdorimi i raketës “Scud” është edhe një dëshmi se regjimi i Gedafit e ka humbur legjitimitetin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karnej, tha se Gedafi i ka ditët e numëruara. Kryengritësit ndërkohë i kanë hedhur poshtë raportimet se ata janë në bisedime me regjimin e Gedafit. Këto njoftime u bënë dje nga burime pranë shërbimeve të sigurimit të Tunizisë. Deklarata u bë ndërsa rebelët po i afroheshin kryeqytetit Tripoli dhe deklaruan se kanë ndërprerë linjat kryesore të furnizimit për në kryeqytet. Zëdhënësi i OKB-së, Ferhan Hak, tha se OKB-ja nuk ka “informacione konkrete” për  bisedime në Tunizi dhe se i dërguari për Libi, Abdul al-Katib, nuk po merrte pjesë në bisedime të tilla.

© Panorama.al

Te lidhura