TRIPOLI- Ministri i Drejtësisë së Këshillit Kombëtar Tranzitor në Libi, Mohammed al-Alaqi, tha sot se Muammar Gheddafi fshihet në një lagje të Tripoli, e cila është rrethuar nga rebëlët të cilët janë në përpjekje për ta kapur atë.
“Zona është nën rrethim, rebelët janë duke e kontrolluar” – tha ai, ndërsa refuzoi për të treguar ekzaktësisht zonën ku ndodhet.
Një ditë më parë kryengritësit kanë kërkuar në një lagje, Abu Salim në afërsi të bunkerit të Gadafit, kërkime të cilat rezultuan të pafrytshme.
Libi, avionët e NATO-s bombardojnë Sirten
Avionët britanikë të NATO-s kanë bombarduar sot një bunker ku mendohet se fshihet kolonel Muamar Gadafi, në Sirte, vendin e tij të lindjes. Bombardimet e NATO-s në këtë zonë kanë nisur natën e së enjtes.
Rebelët libianë janë duke mbledhur forcat, për një sulm përfundimtar në Sirte, megjithëse ata vazhdojnë të përballen me rezistencë të fortë.
Ndërkohë, OKB-ja ka rënë dakord për lirimin e 1.5 miliardë dollarëve fonde, të cilat ishin ngrirë. Fondet do të shërbejnë për ndihmë të menjëhershme humanitare.
Më herët presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma tha se Bashkimi Afrikan nuk do të njohë Këshillin Kombëtar Tranzitor në Libi, si përfaqësues të vetëm të libinave deri në fund të luftimeve.
Një përfaqësues i rebelëve, raportohet të jetë shprehur se tashmë Tripoli është 95% në duart e tyre. Ai tha se , kryengritësit mendojnë se në 72 orët e ardhshme Gadafi mund të arrestohet.
© Panorama.al











