Ndryshimet në ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit” hyjnë në fuqi pasi dje ligji u botua në Fletoren Zyrtare. Sipas ndryshimeve në ligj, zotëruesit e automjeteve duke nisur nga muaji shtator i këtij viti do t’i nënshtrohen një skeme të re pagese për siguracionin e makinave. Tabela e çmimeve nuk do të jetë më e unifikuar dhe e përcaktuar nga Ministria e Financave, por do të jenë vetë kompanitë të cilat do të vendosin në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit sipas kushteve të tregut, por më parë do të duhet të njoftojnë zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave ka vendosur të ligjërojë informalitetin e evidentuar në tregun e sigurimeve, duke tentuar të liberalizojë këtë treg. Ndryshimet e bëra në këtë projektligj diktojnë Autoritetin Mbikëqyrës Financiar të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e provigjioneve teknike. Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi ka njoftuar zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Megjithëse tarifat do të liberalizohen, ndryshimet në ligj parashikojnë që shoqëritë e sigurimit të krijojnë rezervat teknike (provigjonet) jo më pak se niveli i rezervave teknike të përcaktuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti gëzon sipas ndryshimeve të bëra në ligj, të drejtën e miratimit të rregullave për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e rezervave teknike. Autoriteti diktohet nga ligji, që, në qoftë se konstaton se kushtet e përgjithshme të sigurimit nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, miraton vendime të cilat trajtojnë mënyrën sipas së cilës shoqëria e sigurimit duhet t’i përputhë ato. Gjithashtu, ligji parashikon si rezultat të liberalizimit ndryshime edhe në sanksionet që do të vendosen në këto raste.











