Liberaldemokrati lë gruan e tij, merr atë të rivalit politik

Aug 24, 2012 | 12:47
Hilton me gruan

Rivalë deri në fund. Një zyrtar liberal-demokrat ka lënë gruan e tij për të jetuar me bashkëshorten e rivalit të tij politik. Këshilltari i lartë në Glouçester, Britani, Xheremi Hilton, 57 vjeç, ka braktisur gruan e tij kiliane Poli, 53 vjeçe, për të jetuar me Rebeka Trimnel, gruan e kandidatit laburist Kevin Neal për Bashkinë e atij qyteti. Trimnel, nënë e një fëmije, e cila është 24 vjet më e vogël se i dashuri i saj i ri, punonte për liderin e Liberal-Demokratëve si studiuese politike. Bashkëshorti i saj i cili është kandidat për Bashkinë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, kishte nisur të dyshonte kur gruaja e tij pak nga pak po ndryshonte mënyrën e paraqitjes. Prej tre muajsh ajo blinte vazhdimisht veshje të reja, praktikonte make-up dhe frekuentonte parukeritë, zakone që nuk i kishte më parë. Gruaja e pranoi tradhtinë. Kandidati potencial laburist kërkon që këshilltari i lartë liberal-demokrat të dënohet, sepse pozicioni i tij nuk lejon sjellje të tilla të papërgjegjshme. Hilton ishte kandidat parlamentar në vitin 2005 dhe 2010, dhe është i renditur i treti në të dyja rastet. Në adresën e tij zyrtare ai përshkruhet si i martuar me gruan Poli dhe me një dedikim të jashtëzakonshëm për punën e tij dhe statusin si përfaqësues i komunitetit. Hilton ka refuzuar të komentojë.

© Panorama.al

Te lidhura