Arieli: Mendoj se Liami do të jetë shok me Ermalin kur të mbarojnë lojën.
Ndonjëherë një vëlla ka për të treguar rreth vëllait të tij më shumë sesa ai vetë. Ariel Osmani, vëllai gjashtë vite me i vogël i Armandos (Liam) i “Big Brother 5”, komenton rreth marrëdhënies së tij me Gertën, ndërsa kanë fjetur një natë bashkë në të njëjtin shtrat. Por si e ka pritur këtë ndodhi gjermania nga Këlni, Evelin Pollok, për të cilën Liami pohoi se ka një lidhje serioze prej gjashtë muajsh me të? Para se Liam të hynte në BB, ajo i shkroi një letër ku i thoshte “Bëj çfarë të duash aty brenda, vetëm kthehu tek unë në Gjermani”. Vëllai i Liamit tregon më shumë për këtë marrëdhënie.
Komenti i javës në lidhje me Liamin ishte fakti që ai ka fjetur me Gertën, një nga banoret e BB5, me të cilën është afruar më shumë në shtëpi. E prisje këtë nga Liami, dhe mendon se atij i pëlqen Gerta?
Për mendimin tim, fjetja e Gertës me Liamin, pavarësisht se është komentuar ndryshe, unë midis tyre shikoj një afrimitet shoqëror të sinqertë. Me sa kam dëgjuar se vetë nuk e kam parë momentin që ka ndodhur, Gerta është futur në krevat për të bërë xheloz Arbrin, në një farë mënyre për të bërë shaka. Më pas ka vendosur të flejë në krevatin e Liamit, dhe pas kësaj kam dëgjuar Liamin, që duke dhënë sqarimet e tij për këtë ndodhi ka thënë që “e zuri gjumi dhe unë nuk doja ta zgjoja”.
E ka ndjekur Evelin atë natë Liamin dhe a është bërë xheloze? Do të dëshpërohej ajo për këtë fakt, me aq sa e njeh ti Evelin?
Jo, nuk ka shprehur ndonjë shenjë xhelozie deri tani. Mendoj se e ka kuptuar që nuk është diçka serioze ajo që ka ndodhur mes Liamit dhe Gertës për t’u bërë e madhe. Dhe po ashtu besoj, se Evelin si vajzë e zgjuar që është, patjetër që është në gjendje t’i kuptojë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë dhe jo ashtu si mund të duken.
Ka planifikuar Evelin ndonjë udhëtim drejt Shqipërisë, do të jetë në Tiranë për mbylljen e spektaklit?
Nuk kam folur për këtë pjesë ndonjëherë, por në ditët në vazhdim do ia propozoj diçka të tillë. Shpresoj të vijë.
Ndërkohë që loja e “Big Brother 5” tashmë është ngushtuar duke shpeshtuar rrahjet e zemrës tek konkurrentët. Si po të duket loja e Liamit në këto momente? Cilat janë pikat e tij të forta dhe ato të dobëta?
Mendoj se jo vetëm Liam, por dhe banorët e tjerë janë në pritje, dhe them se javën tjetër do ketë debate të forta. Për sa i përket lojës së Liamit, nuk mund të përmend ndonjë pikë të dobët, pasi të jem i sinqertë nuk ia kam parë në sjelljen që ka treguar brenda në BB5, ndërsa për pikat e forta mund të them disa. Komunikimi me zë të ulët, tendenca për të sqaruar pa e ofenduar bashkëbiseduesin, qëndrimi i tij i sinqertë me ata që konsideron shokë dhe shoqe. Qetësia që tregon, edhe atëherë kur debati me të vërtetë është i nxehtë. Dhe buzëqeshja, këto mund të them si pika të forta.
Përveç Liamit, emri tjetër që përflitet se mund të fitojë BB5 është dhe Ermali. Cila mendon se është arma e tij e fortë, me të cilën mund të luftojë Liamin?
Gjatë gjithë kohës që kam ndjekur BB, nuk kam parë ndonjëherë që Ermali të sulmojë Liamin. Përkundrazi, ka qenë Liam që e ka sulmuar dhe ka dashur të nxjerrë në pah diçka më shumë nga karakteri i Ermalit, pasi Ermali ka qëndruar më pasiv brenda në shtëpi. Ndoshta shkaku është lidhja që ai krijoi me Françeskën, nuk e di. Dhe mendoj se prapë do jetë Liam ai që do e sulmojë sërish Ermalin.
Duket se dhe disa banorë të tjerë herë pas here Liami i ka kundër. Ti si vëllai i tij je në gjendje të parashikosh strategjinë e mëtejshme të Liamit? Si mendon se do luajë ai në javët në vazhdim?
Nuk mendoj se i ka kundër të gjithë. Liam ka ditur të flasë dhe të bëjë shaka dhe me ata që konsiderohen si “kundështarë” të Liamit, ose grupi tjetër në mund ta quajmë kështu. Mendoj se do vazhdojë kështu siç është.
E sheh Liamin si fituesin e BB5? Pavarësisht komenteve të fansave ti cilin banor sheh si konkurrentin e tij më të fortë?
Sigurisht që e shoh fitues duke parë mënyrën se si ka vepruar në lojë. Liam ka qenë shumë i organizuar dhe shumë i përshtatur për lojën, ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës dhe ky fakt më bën që të mendoj se ai do të fitojë. Kuptohet që ky është thjesht mendimi im, sepse fjalën e fundit do ta thotë publiku. Nuk mund të specifikoj ndonjë konkurrent, pasi të gjithë janë të fortë.
Nëse ai i fiton 100 milionë, për çfarë do mund t’i investojë ato para?
Besoj se do ndihmojë familjen. Plus që e ka shprehur disa herë në shtëpinë e BB5, që ka dëshirë të sjellë Dj nga Europa, ku mund të organizojë party techno në Shqipëri. Gjithashtu të promovojë dhe veten si Dj, mendoj se lekët do ia bëjnë më të lehtë realizimin e kësaj ëndrre.
Ariel Osmani: Si i shoh unë marrëdhëniet e Liamit me secilin banor
Ermal- Liam: Pavarësisht debateve që kanë pasur mes tyre, nuk mendoj se kanë marrëdhënie të këqija, madje mund të them që miqësia e tyre do vazhdojë dhe jashtë.
Gerta- Liam: Liami e ka respektuar Gertën që në fillim, kur ajo hyri në BB. Arsyeja është komunikimi dhe përputhja e mendimeve me tyre. Them se me Gertën ka diçka për të folur, dhe kjo e bën që të ketë respekt për të.
Arber-Liam: Marrëdhëniet më të mira Liami i ka pasur me Arbrin, por për momentin nuk mund të them të njëjtën gjë, pasi vihet re që janë distancuar.
Genta-Liam: Genta ka qenë një nga ato vajza që u duk në fillim se do ishte shoqja më e mirë e Liamit, por me kalimin e javëve të para u distancuan. Mendoj se Genta e kuptoi gabimin që ka bërë dhe po sillet si në fillim. Kjo ka bërë që marrdhëniet mes tyre të rregullohen disi, pra për momentin i shoh të mira.
Françeska -Liam: Me Françeskën, me sa e kam parë unë, kanë një marrëdhënie të çuditshme. Në një moment i shoh duke diskutuar normalisht dhe pas gjysmë ore mund t’i shoh duke debatuar në një mënyre ironike të tmerrshme. Nuk e kam kuptuar marrëdhënien midis tyre.
Dritan-Liam: Me Dritanin mendoj se kuptohet dhe ka marrdhënie të mira. Deri diku kanë të njëjtat mendime dhe miqësia që kanë krijuar, shpresoj të vazhdojë dhe jashtë.
KLOTILDA HARKA
© Panorama.al











