
Votat e PD-së dhe të LZHK-së i japin postin e kreut të Këshillit Bashkiak të majtës në Lezhë.Agustin Marku, kreu aktual i PS-së së Lezhës, ka arritur të marrë edhe dy vota të “Aleancës për qytetarin” dhe një tjetër të subjektit të pavarur për të t’i marrë kështu së djathtës postin e kreut të Këshillit Bashkiak.
Gjatë mbledhjes së djeshme, kryetari i Bashkisë, i rizgjedhuri Viktor Tusha, që u propozua nga LSI-ja, nuk ka qenë i pranishëm, pasi ai ndodhej në Itali. Ndërsa Këshilli Bashkiak, në bazë të votave është konstituuar dje. Mësohet se PS-ja ka 12 këshilltarë, një subjekti i PBDNJ-së, ndërsa sipas burimeve në Këshill, votën pro kreut aktual të PS-së së Lezhës e ka dhënë edhe anëtari i LZHK-së, parti që nuk është në koalicion me dy palët kryesore. Këshilli Bashkiak i Lezhës ka gjithsej 25 anëtarë, nga të cilët e djathta bashkë me aleatët e saj ka 11 anëtarë. Por, në mbledhje morën pjesë vetëm 19 anëtarë të Këshillit. Pjesa që mungonte, pra gjashtë anëtarë, ishin të PD-së. Gjatë mbledhjes së zhvilluar për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Bashkisë së Lezhës ka pasur mjaft debate nga ana e këshilltarëve. Po me debate u bë edhe votimi për zgjedhjen e kryetarit, pikërisht Agustin Markut, i cili ka qenë më parë deputet i Parlamentit, por edhe prefekt i qarkut të Lezhës për një mandat katërvjeçar. Marku ka marrë 16 vota nga të pranishmit. Sipas përllogaritjeve, ai ka marrë edhe 2 vota të këshilltarëve të së djathtës, por duket edhe votën e LZHK-së, e cila gjatë zgjedhjeve të fundit vendore nuk bëri aleancë me asnjërin subjekt politik. Nënkryetar i Këshillit Bashkiak është zgjedhur Qazim Dushku, po i Aleancës për të Ardhmen. Përfaqësuesi i kësaj Aleance, Pashk Gjoni, do të përfaqësojë Këshillin e Bashkisë për qarkun e Lezhës, ndërsa për “Aleancën për qytetarin”, Gjok Noka. Juristi i prefekturës, Klevis Coli u shpreh pas mbledhjes së djeshme se “konstituimi i Këshillit të Bashkisë duhej të shtyhej, pasi vendimi nga KQZ -ja është marrë me 1 korrik dhe mbledhja duhej të zhvillohej pesë ditë pas shpalljes së rezultatit”. Sipas tij, një pjesë e këshilltarëve, (ata që mungonin) nuk janë lajmëruar. Pritet që në mbledhjen e ardhshme të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, për të bërë betimin para këshilltarëve për mandatin e dytë. Në mandatin e mëparshëm, postin e kreut të Këshillit Bashkiak në Lezhë e ka pasur e djathta. Tashmë pritet që mbledhjet e këtij Këshilli të hasin në probleme, për shkak se Bashkia qeveriset nga e djathta, ndërsa Këshilli Bashkiak nga e majta.
Shkodër, konstituohet Këshilli
SHKODER – Pas rreth 2 muajsh që nga votimet e 8 majit, dje u konstituua Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ndërsa kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, mori zyrtarisht mandatin e dytë. I pranishëm në këtë mbledhje ishe edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Në mënyrë unanime kryetar i Këshillit u zgjodh Bardhyl Lohja i PD-së, i cili e kishte edhe më parë këtë pozicion. Ndërkohë që për herë të parë në këtë Këshill, me konsensus të të dyja grupimeve më të mëdha politike, PD dhe PS, Këshilli Bashkiak i Shkodrës do të ketë dy nënkryetarë, ku njëri iu la PS-së dhe tjetri PD-së. Këshilltarët socialistë u paraqiten me vonesë gjatë fillimit të kësaj mbledhjeje, ndërkohë që gjatë marrjes së mandatit të dytë të detyrës nga kreu i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, dhe bërjes së betimit, ish-rivali i Lukës në zgjedhjet e 8 majit, njëkohësisht këshilltar i PS-së, Genc Uruçi, e braktisi sallën për t’u rikthyer më pas. Para betimit nga ana e këshilltarëve, të pranishmëve iu komunikua vendimi i ish- prefektit të qarkut, Maxhid Cungu, i cili ka dhënë dorëheqjen nga ky post në këmbim të atij të këshilltarit të Bashkisë. r.d
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











