Lezhë, vdes në aksident çifti i kosovarëve

Aug 2, 2012 | 14:11
Automjeti pas aksidentit

LEZHE – Një çift bashkëshortësh nga Kosova humbi jetën pasi automjeti me të cilin ata udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi disa metra jashtë saj. Aksidenti ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të qytetit të Milotit. Viktima të këtij aksidenti janë Tafil Sele, 41 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Feride Sele, 39 vjeçe, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe djali i tyre 9-vjeçar, Fatjon Sele. Familja kosovare ka qenë duke udhëtuar drejt Shqipërisë për të vazhduar më tej drejt Gjermanisë ku jetonin prej vitesh, por në hyrje të qytetit të Milotit, 41-vjeçari Tafil Sele ka humbur drejtimin e mjetit si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe përgjumjes, duke u përplasur fillimisht me barrierat mbrojtëse e më pas ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar poshtë saj rreth 100 metra. Përplasja e mjetit ka qenë e fuqishme, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të saj, Fadil Sele, ndërsa bashkëshortja e tij ka gjetur vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Nga ky aksident mbeti i plagosur edhe djali i tyre, i cili ka qenë në sediljen e pasme, dhe është transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Aksidentet rrugore me pasoja të rënda ku përfshihen shtetas kosovarë janë shtuar kohët e fundit, ndërsa cilësohet se shkak është mosrespektimi i sinjalistikës rrugore dhe shpejtësisë së madhe të lëvizjes së tyre.                              gj.f

© Panorama.al

Te lidhura