Lezhë, shpërthen në ecje makina X5, shpëton emigranti

Feb 7, 2012 | 11:28
Makina “BMW X5”, e shkatërruar pas shpërthimit

LEZHE – Një makinë luksoze, BMW X5, e cila drejtohej nga një emigrant i kthyer nga Gjermania, shpërtheu dje në ecje, duke rrezikuar jetën e drejtuesit të saj. Ngjarja ndodhi në aksin Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldren, kur 32-vjeçari me inicialet G.L. ishte në qarkullim, por me shpejtësi të ulët. Papritmas një shpërthim i fortë në njërën prej gomave të përparme ka bërë që mjeti të devijojë duke dalë nga rruga. Fatmirësisht, 32-vjeçari nuk pësoi lëndime. Ai sinjalizoi menjëherë Policinë e Lezhës, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Fillimisht u dyshua se kishin të bënin me një atentat të mundshëm ndaj të riut, që ishte kthyer rreth 2 vjet më parë nga Gjermania. Për këtë shkak, blutë kërkuan ndihmën e ekspertëve antieksploziv të forcave RENEA nga Tirana. Por ekspertët e RENEA-s nuk arritën të gjenin asnjë gjurmë lënde plasëse në mjetin BMW X5 me targë AA 707 BM. Burime të Policisë bënë të ditur se goma e mjetit kishte pësuar një çarje të konsiderueshme, por ekspertët ende nuk mund të japin një rezultat për shkakun e shpërthimit të gomës.
Kreu i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, deklaroi mbrëmë se grupi i ekspertëve po heton për të gjetur shkakun e çarjes së gomës. “Kanë ardhur ekspertë antieksploziv të RENEA-s nga Tirana, të cilët nuk kanë gjetur asnjë gjurmë eksplozivi apo lënde tjetër shpërthyese”, u shpreh Furriku. Sipas tij, hetimi do të vijojë dhe se për ekspertimin e mjetit do të thonë fjalën e tyre edhe ekspertë të licencuar e me eksperiencë nëpër ngjarje të tilla, inxhinierë autoteknikë, si dhe elektroauto. Ata do të kryejnë një ekspertim të tillë, pasi ka dyshime se mjeti mund të ketë pasur ndonjë defekt elektrik apo probleme të tjera teknike për të cilat grupi hetimor nuk është në gjendje dhe as i specializuar të japë konkluzione të sakta. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, mjeti është shkatërruar thuajse plotësisht në pjesën e përparme të saj. Mësohet se goma e dëmtuar ka qenë në anën e pasagjerit. Drejtuesi i saj ka deklaruar se e kishte humbur kontrollin në timon, derisa përfundoi jashtë rruge. Ai është marrë në pyetje në Policinë e Lezhës, por ka mohuar të ketë pasur konflikte me persona të tjerë. Gjithsesi, edhe vetë Policia më së shumti po heton në pistën e ndonjë defekti teknik, sesa në atë të ndonjë atentati të mundshëm. 32-vjeçari ishte kthyer pas 11 vitesh në emigracion dhe ishte martuar 6 muaj më parë.

Pistat e hetimit
1-Defekti teknik

Do të jenë ekspertët elektroauto dhe inxhinierët autoteknikë, që do të thonë fjalën e tyre për çarjen e gomës në mënyrë mjaft të çuditshme

2-Venie eksplozivi
Një tjetër pistë është ajo e një ngjarjeje të qëllimshme, për shkak të ndonjë konflikti personal që mund të kishte pasur pronari i mjetit

© Panorama.al

Te lidhura