Anija e parë “Made in Albania” e flotës detare ka lundruar nga baza e Pashalimanit drejt Shëngjinit për të prezantuar teknologjinë e re të kësaj force, si edhe ka kryer një stërvitje në përmbushje të misionit të saj. Anija “Oriku” dhe ekuipazhi prej 15 vetash kanë pritur mysafirët në bordin e saj, ndërsa drejtuesit lokalë të Lezhës e kanë konsideruar këtë arritje si pjesë e rrugës integruese të vendit tonë. Anija “Oriku” e rojës bregdetare është e para e ndërtuar në vendin tonë, por që ka pasur asistencën e inxhinierëve holandezë, shtet tek i cili është marrë dhe patenta për prodhimin e kësaj anijeje. Shteti shqiptar do të prodhojë dhe tri anije të tjera të këtij lloji dhe do të mbajnë emrat e vjetër të porteve ku do të vendosen. Shëngjini pritet që të ketë anijen e tij “Lissus” brenda muajit shtator. Anija “Oriku” e rojës bregdetare do të ketë si mision zbatimin e ligjshmërisë në det, operacionet e kërkim-shpëtimit, sigurinë e ujërave territoriale, monitorim të rajonit dhe reagim kundër aktiviteteve të paligjshme, ndërsa për përmbushjen e këtij misioni ata janë në bashkëpunim me qendrën operacionale detare ndërinstitucionale.











